SHBA e cilëson historike, BE “e befasuar” me marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd - Bota Sot
SHBA e cilëson historike, BE “e befasuar” me marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd

Aktuale

SHBA e cilëson historike, BE “e befasuar” me marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd

Më: 21 janar 2020 Në ora: 19:11
Ilustrim

Bashkimi Evropian nuk ka qenë i përfshirë fare në arritjen e marrëveshjes në parim për hapjen e linjes direkte ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Burime të shumta kanë konfirmuar për REL-in se zyrtarët e BE-së kanë marrë vesh përmes mediave se të hënën në Berlin është nënshkruar marrëveshja dhe se ata ishin zënë në “befasi” me këtë informacion.

BE-ja nuk ka reaguar fare të hënën rreth nënshkrimit të marrëveshjes parimore siç ishte praktika e deritashme e Brukselit saherë që kishte njonjë lajm pozitiv që ndërlidhet me marrëdhëniet Prishtinë – Beograd.

Reagimi nga Brukseli erdhi të martën, në konferencën për gazetarë pas pyetjeve të gazetarëve në lidhje me këtë çështje. Aty, zëdhënës i Shefit të diplomacisë evropiane, Peter Stano foli për anën komerciale të kësaj marrëveshjeje.

Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borell, nuk e ka përshëndetur në veçanti marrëveshjen, por ka thënë se ajo paraqet “sinjal pozitiv”.

“BE mbështet të gjitha lidhjet në rajon që forcojnë komunikimin mes njerëzve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo është një mënyrë për të avancuar normalizimin e marrëdhënies midis Beogradi dhe Prishtina”, tha Stano, sipas të cilit, hapja e një linje ajrore nuk do të ndikojë ose ndryshojë qëndrimin e BE-së për statusin e Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur fitore marrëveshjen për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka shkruar në profilin në Twitter, se “Presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për të arritur këtë marrëveshje, që është vetëm fillimi i një të ardhme të ndritur për miqtë tanë, Kosovën dhe Serbinë”.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë lëvizje në drejtim të rritjes së rolit të tyre në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar special të presidentit Donald Trump, për negociatat paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat