Jepet vendimi, ja sa u dënuan të akuzuarit në rastin "Syri i Popullit"

Aktuale

Jepet vendimi, ja sa u dënuan të akuzuarit në rastin "Syri i Popullit"

Më: 22 janar 2020 Në ora: 07:16
Gjykimi ndaj grupit "Syri i Popullit" më 22 janar, 2019.

(E plotësuar) - Të akuzuarit e rastit “Syri i Popullit”, Gjykata Themelore e Prishtinë sot i ka shpallur fajtorë duke i dënuar me burgim.

Me burgim gjykata i dënoi  Avni Llumnicën, Sadri Ramabajën, Ragip Sallovën, Bexhet Luzhën, Halim Halimin, Bajrush Konjushën dhe Rexhep Topllanën, ndërsa Murat Jasharit, për shkak të gjendjes së tij psikike, i është shqiptuar trajtim i detyrueshëm psikiatrik prej 10 vjetësh.

Për të akuzuarit e tjerë Lirie Luzha dhe Sabit Berisha u refuzua aktakuza, pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës në mungesë të provave ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Ata akuzohen për veprën penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, dhe vepra tjera penale.

Aktvendimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi Jashanica, e cila tha se aktvendimi është marrë në bazë të provave.

Kryetarja e trupit gjykues tha se i akuzuari Avni  Llumnica është gjetur fajtor në pretendimet e prokurorisë, i cili me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica është gjetur fajtor edhe për veprën penale të sulmit seksual, gjatë kohës kur ishte në qendrën e paraburgimit.

E për kryerjen e këtyre veprave penale, Llumnica u dënua me gjithsej 12 vjet burg, si dhe konfiskim të veturës të tipi “BMW” me targa të huaja.

Krasniqi-Jashanica: Avni Llumnica dënohet me burgim prej 12 vitesh

“Të akuzuarin Avni Llumnica, për shkak të kryerjes së veprës penale si në pikën e parë të këtij aktgjykimi, i cakton dënim me burgim me kohëzgjatje prej 3 viteve, të akuzuarit, Avni Llumnica për shkak të veprës penale në pikën e dytë të këtij aktgjykimi cakton dënimin në kohëzgjatje prej 1 viti, të akuzuarit për shkak të kryerjes së veprës si në pikën e tretë të këtij aktgjykimi cakton dënim  burgimin me kohëzgjatje prej 10 viteve. Në vështrim 80 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës i shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 12 viteve burgim”, tha kryetarja e trupit gjykues.

I mëpastajshëm ishte reagimi i të akuzuarit, Avni Llumnica i cili e ka fyer trupin gjykues duke i quajtur “tradhtar” dhe të “bijtë e shkijeve”. Dhe më pas pjesëtarë të Policisë së Kosovës e larguan nga salla ku po mbahej seanca.

Llumnica: Krejt ju jeni bijtë e shkijeve

“Të bijtë e shkijeve janë këta. Të shkijeve jeni krejt, po më dënoni ju për tradhti”, u shpreh ai.

Për kryerje të veprës penale terroriste  Sadri Ramabajën  u dënua me 5 vjet burg, e për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova e dënua me 4 vjet heqje lirie, ndërsa Rexhep Topllana me 2 vjet.

Ndërsa, Murat Jasharit, për shkak të gjendjes së tij psikike, i është shqiptuar trajtim i detyrueshëm psikiatrik prej 10 vjetësh në Institutin Psikiatrik të Forenzikës në Prishtinë, si dhe i është konfiskuar arma.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha  u dënuan me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha është dënuar edhe me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për mos lajmërim të veprës penale, të akuzuarit Bexhet Luzha iu shqiptua dënimi me burgim me kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Krasniqi-Jashanica: Sadri Ramabaja dënohet me 5 vjet burg, Sallova 4 vjet

“Të akuzuarit, Sadri Ramabaja për shkak të veprës penale të pikës së tretë të këtij aktgjykimi i shqiptohet dënimi me burgim me kohëzgjatje prej 5 vitesh. Në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e qëndrimit të tij në paraburgim...Të akuzuarit, Ragip Sallova për shkak të kryerjes së veprës penale të pikës së tretë të këtij aktgjykimi i shqiptohet dënimi me burgim me kohëzgjatje prej 4 viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pasi ky vendim të merr formën e prerë...Të akuzuarit Bajrush Konjusha për shkak të veprës penale në pikën  e tretë i shqipton dënim me kohëzgjatje prej 3 viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pasi ky vendim merr formën e prerë. Sikurse të akuzuarit, Bajrush Konjusha i caktohet edhe dënimi me gjobë në lartësi prej 300 euro për armëmbajtje pa leje...Halim Halimi po ashtu dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pasi ky vendim të merr formën e prerë. Të akuzuarit Rexhep Topllana i shqiptohet dënimi me burgim me kohëzgjatje prej 3 vitesh, në të cilin dënim i llogaritet edhe kohëzgjatja në arrestin shtëpiak  që nga data 20.12. 2017  dhe në paraburgim... Bexhet Luzha për shkak të kryerjes së veprës penale si në pikën 6 të këtij aktvendimi i shqiptohet dënimi me burgim me kohëzgjatje prej 2 viteve”, tha ai.

Pas përfundimit të seancës, motra e Avni Llumnicës, Mevlude Llumnica derisa ka akuzuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, tha se nuk janë tradhtarë dhe sa vëllai i saj ka ndihmuar me miliona Kosovën.

Llumnica: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ia kanë bërë këtë vëllait tim

“Unë nuk e di çka do të mendoj ky popull prej ditës së sotme dhe andej nuk mund asgjë të them, veç kjo nuk ka ndodhur kurrë te shqiptarët. Ka dënuar serbi, ndoshta nuk është keq me thënë, i ka dënua serbi 4 vjet, 15 vjet, ama këtë të zezë nuk ia ka ngjitur askush. Ky është tmerr i botës. Unë nuk e di çka ka menduar Kadri Veseli e Hashim Thaçi, këta dy ia kanë ‘ngjitur’ këtë me gjithë dy hetues tjerë edhe Nuhi Zeka i Dumnicës  është ai, le ta di mirë çka ka bërë...Ata ia kanë bërë sepse ata kanë ardhur këtu dhe kanë dëshmuar vetë kanë thënë për ata ia lë atyre”, deklaroi ajo.

E bashkëshortja e të dënuarit, Sadri Ramabaja, Fatime Ramabaja tha se bashkëshorti i saj u dënua pa prova. Sipas saj klani ‘Pronto’ e realizoi planin e tij që përmes Ramabajës të luftojë Lëvizjen Vetëvendosje.

Ramabaja: Klani ‘Pronto’ arriti qëllimin që përmes Ramabajës të luftojë Vetëvendosjen

“Një njeri që ka dhënë një jetë për këtë vend e akuzojnë për një vepër që nuk dinë as si bëhet edhe me akuza të rrejshme, pa asnjë fakt ai dënohet sot me 5 vite burgim. Edhe njëherë klani ‘Pronto’ e realizoi planin e vetë që përmes Sadri Ramabajës të luftojë Lëvizjen Vetëvendosje”, u shpreh bashkëshortja e Ramabajës.

Avokati mbrojtës i Sadri Ramabajës, Ramiz Krasniqi tha se klani ‘Pronto’ e kreu edhe këtë proces gjyqësor qëllimi i të cilit ishte dënimi i Sadri Ramabajës.

Krasniqi: Sadri Ramabaja u shpall fajtor pa prova

“Është me rëndësi që Sadri Ramabaja është shpallur fajtor për një vepër që me asnjë provë  nuk është vërtetuar se është kryer. Unë kujtoj dhe e kam thënë prapë që ky është ndikim i klanit ‘Pronto’, klani ‘Pronto’ e kreu edhe këtë punë e kishte qëllim të vetëm ta dënojë Sadri Ramabajën”, tha ai.

E mbrojtja e Murat Jasharit, Fehmie Gashi-Bytyqi derisa ka komentuar dënimin e klientit të saj, tha se ky vendim është në kundërshtim me mendimin e ekspertëve zviceranë dhe atyre të Kosovës, të cilët kanë vlerësuar se Murat Jashari duhet të vazhdojë trajtimin në Zvicër.

Bytyqi: Gjykata vendosi në kundërshtim me mendimin e ekspertëve

“Ky vendim bie në kundërshtim me  vetë dhënien e mendimit të ekspertëve qoftë zviceranë, qoftë të Kosovës, të cilët në momentin kur është bërë ekspertiza nga ana e propozuar nga vetë prokuroria, të njëjtin kanë dhënë mendimin e tyre profesional që Murat Jashari duhet të kthehet në vendin ku ka qenë në Zvicër, meqenëse  gjendja e tij shëndetësore psikike dhe fizike është tejet e rëndë.. Konsideroj se është një masë shumë e rëndë përveç kësaj kjo e ngarkon edhe Institutin e Psikiatrisë Forenzike ngase kapaciteti i shtretërve për pacientët në këtë gjendje që kryen vepër penale janë të paktë aty”, tha ajo.

Në rastin “Syri i Popullit” akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirie Luzha dhe Rexhep Topllana për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale.

Sipas aktakuzës thuhet se ata kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetërorë të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.

Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, publicistë etj.

Në këtë rast dëshminë e tyre e patën dhënë edhe presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentari Veseli, Xhavit Halitit etj.

Momenti kur policia nxjerr nga salla Avni Llumnicën

Gjykata Themelore e Prishtinës të akuzuarin në rastin “Syri i Popullit”, Avni Llumnica e ka shpallur fajtor duke e dënuar me 12 vite burgim.

Llumnica i cili u dënua  për veprën penale të hakmarrjes me 3 vite, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim.

Menjëherë pas shqiptimit të aktvendimit ndaj tij Llumnica reagoi duke i duartrokitur këtij vendimi dhe fyer trupin gjykues duke bërtitur “tradhti”, “të bijtë e shkinave jeni ju”.

Pas këtij reagimi pjesëtarët e Policisë së Kosovës e nxorën nga salla ku po mbahej seanca.

Ndryshe, me aktvendim dënues janë shpallur fajtor edhe të akuzuarit tjerë në rastin “Syri i Popullit”.  Sadri Ramabaja është dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova është dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana është dënuar me 2 vjet.Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale është dënuar me 2 vjet burg.Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha janë dënuar me nga 3 vjet burg.

E i akuzuari Murat Jashari për shkak të gjendjes së tij, është shqiptuar trajtim i detyrueshëm psikiatrik prej 10 vitesh. Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha është  refuzuar aktakuza, pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës ka hequr dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave.

Britma, sharje, ofendime – Avni Llumnica i “Syrit të popullit” kundërshton vendimin e Gjykatës

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtorë të akuzuarit e rastit “Syri i popullit”.

Ky vendim nuk i pëlqeu aspak Avni Llumnicës, i cili u dënua me 12 vjet burgim.

“Tradhti, tradhti…”, ishin fjalët e tij.

Sipas këtij vendimi, Avni Lluminica dënohet me 12 vite burg, Sadri Rambaja me 5 vite, Ragip Sallova 4 vite, Bajrush Konjusha 3 vite, Halim Halimi 3 vite, Rexhep Topllana 2 vite, Behxhet Lluzha 2 vite.

Për Murat Jasharin ndërkaq Gjykata ka vendosur 10 vite trajtim të detyrueshëm psikiatrik. Akuza është refuzuar për Sabit Berishën dhe Lirije Luzhën.

Image

Gruaja e Ramabajës fajëson “Klanin Pronto” për dënimin e burrit të saj

Bashkëshortja e të akuzuarit në rastin “Syri i Popullit” Sadri Ramabaja, Fatimja ka thënë para mediave se ‘Klani Pronto’ e realizoi planin e vet.

Gruaja e Sadri Ramabajës i ka thënë këto deklarata pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin “Syri i Popullit”, ku u dënua me 5 vjet burg.

Njëjtë ka thënë edhe avokati i tij Ramiz Krasniqi i cili tha se sot u vërtetua se Klani Pronto  ka gisht në këtë proces dhe asnjë provë deri më tani nuk është vërtetuar.

Përveç Ramabajës në këtë rast janë dënuar edhe Avni Llumnica me 12 vjet burg,  Ragip Sallova, 4 vjet, Bajrush Konjusha, 3 vjet, Halim Halimi, 3 vjet, Rexhep Toplana me 2 vjet burg dhe Behxhet Luzha me 2 vjet.

Ndërsa Murat Jashari është dërguar për 10 vjet në trajtim të detyrueshëm psikiatrik.

Jepet vendimi, ja sa u dënuan të akuzuarit në rastin "Syri i Popullit"

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka marrë vendim për shtatë të akuzuarit në rastin e njohur si Syri i Popullit.

Sipas këtij vendimi, Avni Lluminica dënohet me 12 vite burg, Sadri Rambaja me 5 vite, Ragip Sallova 4 vite, Bajrush Konjusha 3 vite, Halim Halimi 3 vite, Rexhep Topllana 2 vite, Behxhet Lluzha 2 vite.

Për Murat Jasharin ndërkaq Gjykata ka vendosur 10 vite trajtim të detyrueshëm psikiatrik. Akuza është refuzuar për Sabit Berishën dhe Lirije Luzhën.

Në rastin “Syri i Popullit” kishin dëshmuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në këtë rast akuzoheshin Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Javën e kaluar, të akuzuarit japën fjalën e tyre përfundimtare.

Sadri Ramabaja e cilësoi procesin si të montuar politikisht, ndërsa vet prokurorin si të ndikuar.

Ai deklaroi se i gjithë procesi ishte inskenuar nga klani “Pronto”.Prokurori Sylë Hoxha në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Hoxha hoqi dorë nga ndjekja penale për Lirije Luzhën dhe Sabit Berisha të cilit ishin si të dyshuar në këtë rast.

***

Ka filluar seanca vendimtare për grupin “Syri i Popullit”. Të akuzuarit në sallë pritet që sot ta kuptojnë dënimin që i pret rreth akuzave që rëndojnë mbi ta.

Në rastin “Syri i Popullit” kishin dëshmuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në këtë rast akuzohen Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Javën e kaluar, të akuzuarit japën fjalën e tyre përfundimtare. Sadri Ramabaja e cilësoi procesin si të montuar politikisht, ndërsa vet prokurorin si të ndikuar. Ai deklaroi se i gjithë procesi ishte inskenuar nga klani “Pronto”.

Prokurori Sylë Hoxha në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Po javën e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës hoqi dorë nga ndjekja penale për Lirije Luzhën dhe Sabit Berisha të cilit ishin si të dyshuar në këtë rast.

***

Sot pritet të merret vendimi përfundimtar për rastin e njohur si “Syri i Popullit” ku kishin dëshmuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në këtë rast akuzohen Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Javën e kaluar, të akuzuarit japën fjalën e tyre përfundimtare. Sadri Ramabaja e cilësoi procesin si të montuar politikisht, ndërsa vet prokurorin si të ndikuar. Ai deklaroi se i gjithë procesi ishte inskenuar nga klani “Pronto”.

Prokurori Sylë Hoxha në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Po javën e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës hoqi dorë nga ndjekja penale për Lirije Luzhën dhe Sabit Berisha të cilit ishin si të dyshuar në këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat