Këto janë mesazhet kryesore të Grenell sipas njohësve politikë

Aktuale

Këto janë mesazhet kryesore të Grenell sipas njohësve politikë

Më: 23 janar 2020 Në ora: 18:18
Richard Grenell

Qëndrimi dyditor në Kosovë i të dërguarit të posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell po shihet si vazhdim i interesimit për Kosovën nga administrata amerikane për t’i dhënë një shtytje zhvillimit ekonomik, por edhe për të përfunduar një herë e mirë mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Krahas saj, për analistin politik, Faton Abdullahi, ambasadori Grenell dha mesazh se nuk ka ndonjë besim të madh tek dy partitë, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike për formimin e qeverisë.  Sipas tij, për këtë arsye shpërfaqej mosinteresimi i tij për këtë çështje.

Abdullahu: Ajo çfarë tha Grenell nënkupton mos besimin në VV-në dhe LDK-në

“Mund të konstatohet se duke u nisur nga ajo se çfarë ka thënë zotëri Grenell dhe çfarë ka lënë për të thënë sikur të na jep të drejtën tek konstatimi se ShBA-të nuk kanë ndonjë besim të madh, nuk presin ndonjë zhvillim shumë pozitiv nga këto dy forca politike sa i përket, jo vetëm pajtimit për të bërë qeverinë, por edhe udhëheqjen e politikave qeverisëse. Prandaj, rezerva që është bazuar nga mospajtimet që i kanë këto forca politike, kanë determinuar konstatimin e zotëri Grenell se ato duhet të pajtohen nëse duhet të pajtohen, por duhet të përqendrohemi edhe më shumë në zhvillimet ekonomike”, thotë Abdullahu.

Si mesazh kryesor për Abdullahun, është edhe insistimi për largim të taksës karshi mallrave serbe.

Abdullahu: Qëndrimi karshi taksës është i më hershëm

“Nuk ka asnjë ndryshim ndaj taksës. Është qëndrim edhe më i hershëm. Parimisht e kam thënë në mënyrë të vazhdueshme se nuk kemi bërë mirë që kemi vendosur taksën pa e koordinuar këtë proces me ShBA-të, por sido që të jetë largimi i taksës është predispozitë për të hyrë në dialog. Nëse është kështu ne jemi të parët, të heqim taksën në mënyrë që të jemi pjesë e gjeo-politikës që SHBA-të po i bëjnë në rajon”, thotë Abdullahu.

Ndërsa, njohësi tjetër i rrethanave politike, Blerim Vela thotë për kp, se deklarimet e sotme të ambasadorit Grenell nënkuptojnë se nyja e problemit mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të zgjidhen vetëm me marrëveshje politike, por palëve duhet t’iu ofrohen edhe iniciativa ekonomike.

“Duhet theksuar se ekziston bashkërendim mes ShBA-ve, shteteve kyçe evropiane dhe Komisionit Evropian rreth qasjes se re për rifillimin e negociatave. Ajo bazohet në qasjen e administratës momentale amerikane që zgjidhjen e problemeve ndërshtetëror e sheh në prizmin si politik, ashtu edhe ekonomik. Në rastin e çështjes Izraelito-Palestineze, administrata amerikane ka propozuar programin ekonomik që përbehet nga investime prej 50 miliardë dollarë në territoret palestineze. Në ketë kontekst, duhet kuptuar deklarimin e ambasadorit Grenell pas takimeve të sotme me liderët e vendit si diskutim për përcaktimin e kostos ekonomike të marrëveshjes së ardhshme Kosovë-Serbi. Sipas kësaj qasje, nyja e problemit mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të zgjidhet vetëm me marrëveshje politike, porse palëve iu duhet ofruar inventivë ekonomike për të arritur marrëveshjen”, thotë ai.

Pas takimit të Grenellit me të dy partitë, zyrtarë të këtyre të fundit nuk u deklaruan për media, përveç anëtarit të kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxhiri.

Ai  tha se vet prania amerikane në Prishtinë tregon se zgjedhje nuk duhet të ketë por duhet të gjendet një zgjidhje mes dy partive. Por theksoi se ata mbesin të barrikaduar në qëndrimin e mëhershëm të tyre dhe se reflektimi i takon mandatarit për kryeministër, Albin Kurti.

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell gjatë dy ditëve qëndrim në Kosovë është takuar me presidentin, Hashim Thaçi, mandatarin për kryeministër, Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Gjatë këtyre takimeve, diplomati Grenell theksoi nevojën e përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi, zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin ballkanik, e në veçanti Kosovës.

Por theksoi se nuk ka ardhur të përfshihet në diskutimet për formimin e qeverisë mes VV-së dhe LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat