Abrashi: Mesazhi i Grenell i fuqishëm dhe i qartë – prioritet për rajonin zhvillimi ekonomik

Aktuale

Abrashi: Mesazhi i Grenell i fuqishëm dhe i qartë – prioritet për rajonin zhvillimi ekonomik

Më: 23 janar 2020 Në ora: 18:32
Arban Abrashi

Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, ka vlerësuar se mesazhet e të Dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi ambasadorit Richard Grenell kanë qenë shumë të fuqishme.

“Mesazhe të fuqishme për një vizion ose kahje se nga do të shkojë krejt rajoni. Fatkeqësisht, mesazhet vijnë tani nga SHBA-të për detyrat të cilat ne do të duhej t’i kryenim shumë më herët. Nuk po flas vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin që është ngulfatur me lojëra politike dhe ka lënë anash ekonominë”.

“Mesazhi sot është shumë i qartë. Prioritet kryesor për rajonin do të jetë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës në mënyrë që të tejkalojnë dallimet politike që kanë këto vende”.

“Ky është mesazh shumë i fuqishëm nga përfaqësuesi special i SHBA-vë, por edhe mik i presidentit Donald Trump dhe zëvendëspresidentit Mike Pence. Ka miqësi që tejkalojnë edhe vet pozitat politike”.

“Kjo tregon një angazhim të fuqishëm të SHBA-ve në rajon dhe është detyrë e jona ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Është mundësi e artë, pasi sytë e presidentit Donald Trump dhe krejt SHBA-së janë drejtuar në këtë rajon. Me siguri se kanë plane, pasi më herët është përmendur ‘Plani Marshall për zhvillimin e Ballkanit’, derisa tani kemi diçka të drejtpërdrejtë”.

“Sidoqoftë, ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe është mesazh i qartë për qeverinë e ardhshme në Kosovë”.

“Mesazh  i qartë besoj se do të jetë nesër edhe në Beograd që nuk ka rrugëdalje tjetër përpos bashkëpunimit, pikë së pari në fushën ekonomike, ashtu si edhe në fushat tjera për zgjidhjen përfundimtare për problemet mes Kosovës dhe Serbisë”.

Abrashi ka folur më në detaje për takimin që ambasadori Richard Grenell e ka pasë sot gjatë ditës me kryetarin e LDK-së.

Madje, ai ka thënë se qëndrimi më i gjatë i Grenell në zyret e LDK-së se sa në zyret e Lëvizjes Vetëvendosje e përçon një mesazh.

“Me siguri se edhe kjo e ka një mesazh politik pa hyrë në interpretime. Sidoqoftë, me kryetarin Isa Musafa ka gjetur bashkëpunim posaçërisht të idetë e zhvillimit ekonomik, sepse gjatë mandatit të Isa Mustafës Kosova ka përjetuar një prej zhvillimeve ekonomike më të mëdha pas luftës”.

“Idetë e Isa Mustafës dhe Richard Grenell janë pajtuar plotësisht për çështjet ekonomike, prandaj edhe ka zgjatur takimi”.

“Kanë qenë biseda që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik për Kosovën dhe rajonin, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe bërja e Ballkanit atraktiv për të gjithë ata që po mendojnë të migrojnë”.

“SHBA-ja po dëshiron ta ndryshojë këtë gjendje. Tani po shohim një dorë të fuqishme të presidentit Donald Trump përmes njerëzve të tij më të afërt në Prishtinë dhe ne duhet ta përkrahim këtë”.

Deputeti i LDK-së ka folur edhe për faktin se i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi ka takuar vetëm liderët e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje – dhe atë ndaras.

“I ka takuar partitë të cilat janë në biseda për krijimin e qeverisë. Ka treguar se si e sheh zhvillimin e tërë Ballkanit, kornizat politike dhe ekonomike, si dhe ka përmendur që marrëveshja me Serbinë duhet të përfundojë brenda këtij viti”.

“I ka drejtuar mesazh partnerëve të koalicionit, atyre që po tentojnë të krijojnë qeverinë dhe mendoj se kjo është shumë e drejtë dhe fer sa i përket qasjes së SHBA-ve”.

“Jemi në një afat kohor kushtetues, prandaj SHBA-të që kanë interes për stabilitetin politik dëshirojnë që të përçojnë mesazhin nga presidenti amerikan Donald Trump se çfarë duhet të jenë prioritetet për qeverinë e ardhshme – në aspektin ekonomik dhe politik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat