Administrata e Trump do që ta zgjidhë problemin e zgjatur Kosovë-Serbi

Aktuale

Administrata e Trump do që ta zgjidhë problemin e zgjatur Kosovë-Serbi

Më: 23 janar 2020 Në ora: 19:12
Grenell dhe Trump

Njohësi i sistemit amerikan, Drilon Gashi, tha se ardhja e Emisarit të Posaçëm amerikan, Richard Grenell, në Kosovë tregon që marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë rritur si kurrë më parë.

Ai tha se Grenell është një nga ambasadorët më të preferuar të presidentit amerikan Donald Trump dhe angazhimi i tij në çështjen e Kosovës dhe Serbisë tregon se administrata amerikane ka interes që ta përfundojë këtë çështje diplomatike sa më parë.

“Me ardhjen e Grenell në Kosovë dhe Serbi mund të nxjerrim disa gjëra. E para është që marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë ngritur në një nivel më të lartë politik se që kanë qenë më parë. Me investimin e ambasadorit Grenell dhe takimet e tij zyrtare që ndodhën dhe siç dihet që Grenell ka marrëdhënie të afërt me Trump. Ai është një ndër ambasadorët më të dalluar dhe është përfolur këtu në SHBA se ai është zëvendësues i Mike Pompeo”.

“Spektri politik duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Grenell nuk është diplomat i karrierës por i zhvillimit ekonomik dhe investimeve, më shumë se dialogun politik ai dëshiron zotime të qarta nga Kosova dhe Serbia për të shtyrë para një marrëveshje mes dy vendeve”.

“Ambasadori Grenell e dëshiron një lëvizje përpara dhe para se të ndodhë marrëveshja e madhe me Serbinë do të ketë marrëveshje të tilla sikur me linjën ajrore. Ai duhet të dijë se kur duhet lëvizur përpara, por edhe qeveria e ardhshme duhet të jetë e gatshme ta bëjë këtë”.

Gashi në një lidhje direkte nga SHBA në Info Magazine tha se zgjidhja e një problemi që ka zgjatur shumë mes Kosovës dhe Serbisë është edhe në interesin elektoral të Trumpit, prandaj edhe po insistojnë më shumë.

“Trump dhe Grenell janë insistues për dy arsye: Është një problem ndërkombëtar diplomatik që ka zgjatur shumë dhe që këta dy duan të jenë ata që e zgjidhin. Pavarësia e Kosovës në disa aspekte është e papërfunduar dhe janë të interesuar t’i zgjidhin. E dyta është se zgjidhja ka një rëndësi politike. SHBA është para zgjedhjeve dhe ndoshta me këtë administratë do të shohim një ndërlidhje të këtyre angazhimeve. Ata duan të thonë që kanë arritur sukses me këtë çështje”.

“Kjo e kthen te ne vëmendjen dhe duhet të jemi të gatshëm të ecim përpara në disa aspekte. Koncepti i ndarjes së Kosovës është larguar nga tavolina. Në marrëdhëniet Kosovë-Serbi edhe gjërat ekonomike kanë nevojë për vullnetin politik që të shtyhen përpara, pra janë të ndërlidhura”.

Gashi tha se përfaqësuesit e Kosovës kanë përgjegjësi pasi presidenti amerikan ka qasje direkte te zgjidhja e problemit me Serbinë.

“Për taksën dhe të gjitha marrëveshjet që i duam me Serbinë duhet ta kemi të qartë se çka përfiton Kosova dhe cilat janë argumentet e Kosovës në këto marrëveshje. Kjo do të thotë që ne nuk po ia plotësojmë qejfin Trumpit dhe Grenellit, por ne po realizojmë interesat e Kosovës në raport me Serbinë me shtytjen dhe ndërmjetësimin e tyre”.

“Spektri politik nuk duhet të ketë frikë që interesat e Kosovës po pengohen nga ky dialog me Serbinë. S’besoj që Grenell do të jetë ai që çon prapa investimin e SHBA-së në pavarësimin dhe në integritetin territorial të Kosovës.

“Ne duhet ta kemi të qartë se çfarë dëshirojmë të arrijmë dhe se qeveria e ardhshme e Kosovës të krijohet shpejt. Qeveria e re duhet që sapo të vijë në pushtet të japë ofertat e saj për marrëveshjen Kosovë-Serbi se cilat janë pikat që ndoshta mund të mos jenë shpejt të arritshme, por duhet të ketë një marrëveshje të qartë. Grenell nuk është nga bota e politikës që do të dialogojë gjatë, por ai është i biznesit do një marrëveshje”.

“Ndoshta ne do ta kemi një marrëveshje që nuk do t’i pëlqejë Serbisë dhe ajo do ta bëjë kundër-ofertën. Megjithatë, ne do të hyjmë në këtë angazhim dhe të jemi të gatshëm dhe të arrijmë interesat e Kosovës. Nuk duhet të frikësohemi nga interesi, por të përfitojmë nga ai. Interesat mbesin ato që kanë qenë dhe duhet të vazhdojmë të insistojmë në ato”.

Gashi tha se në SHBA gjithmonë ka pasë një vazhdimësi nga partitë në pushtet dhe nga një president në tjetrin, por me Trump ka ndryshuar kjo gjë dhe kjo mund të jetë në favor edhe të Kosovës në raport me Serbinë.

“Me Trump ka pasë një dallim, ai ka një qasje më shumë të biznesit. Shpresoj që Trump të shikojë prapa dhe të shohë atë që kanë bërë Clintonët. Besoj që ekziston një vazhdimësi me një qasje tjetër dhe një përshpejtim më të madh”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat