Sejdiu pas vizitës së Grenell: Një cunami politik po vjen - Bota Sot
Sejdiu pas vizitës së Grenell: Një cunami politik po vjen

Aktuale

Sejdiu pas vizitës së Grenell: Një cunami politik po vjen

Më: 23 janar 2020 Në ora: 21:55
Korab Sejdiu

Juristi Korab Sejdiu, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, e vlerësoi lart vizitën e të dërguarit special të presidentit amerikan Donalt Trump, Richard Grenell, në Kosovë dhe Serbi.

Në një intervistë, ai tha se vetë pozita e Grenell, që cilësohet si një prej diplomatëve më të rëndësishëm të SHBA-ve, flet mjaft për peshën e vizitës se tij.

Sa i përket mesazheve që Grenell përçoi përmes këtyre vizitave, Sejdiu tha se mund të analizohen në dy aspekte – i pari nga këndvështrimi amerikan.

“Në një mënyrë kjo i kontribuon Trump-it për fushatën parazgjedhore dhe zgjedhjet që pritet të mbahen në SHBA, duke pasur parasysh se gjasat janë ta ketë kundërkandidat një yll në diplomaci, Joe Biden. Në këtë aspekt Trump dëshiron që në atë territor t’i ketë disa suksese”.

“Trump dëshiron ta ketë një fitore të gatshme, sado e vogël në aspektin gjeopolitik, por ta ketë një fitore që mund ta përdorë si argument nëpër debatet presidenciale”.

Sa i përket takimeve të Grenell me presidentin Hashim Thaçi dhe krerët e VV-së dhe LDK-së, Albin Kurti e Isa Mustafa respektivisht, Sejdiu pohoi se mesazhi i diplomatit amerikan është i qartë që duhet të bëhemi gati shpejt për rrymën politike që po vjen.

“Besoj që është mëse e qartë që një ‘cunami politik’ veçse është duke ardhur –  diçka do të ndodhë, një rryme e madhe politike po vjen edhe për çështjen e Kosovës, por edhe më gjerë. Ne i kemi dy opsione: t’i dalim në rrugë cunamit e te na bëjë copë e grimë, apo të konsolidohemi brenda vetes dhe të mundohemi që fuqinë e cunamit ta përdorim për të mirën tonë”.

Ai shtoi se viteve të fundit është parë një shthurje tek lidershipi dhe klasa politike në Kosovë dhe se nuk ka pasur koordinim të mirëfilltë ndërinstitucional, veçanërisht karshi politikës së jashtme.

“Kjo vizitë dërgon një mesash që ‘nuk kemi kohë të humbasim në grindjet tuaja të vogla në shtetin tuaj të vogël’, ngase kur e shohim globin Kosova është mjaft e vogël. Duhet të kuptojmë që kemi një afat shumë të shkurtër të konsolidohemi”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat