Kryeziu: Grenell sot bëri artikulimin më të mirë të pritjeve të qytetarëve të Kosovës

Aktuale

Kryeziu: Grenell sot bëri artikulimin më të mirë të pritjeve të qytetarëve të Kosovës

Më: 23 janar 2020 Në ora: 22:44
Ismet Kryeziu

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka folur për politikën amerikane – me theks të veçantë përkushtimin e presidentit Donald Trump – karshi Kosovës.

Ai në Zona e Debatit ka thënë se politika e presidentit Trump në Ballkan nuk e ka në fokus vetëm marrëdhënien Kosovë-Serbi.

“Në vitin e fundit është bërë një rikthim i politikës amerikane dhe interesave strategjikë në Ballkan, jo vetëm në Kosovë dhe në raportet Kosovë-Serbi. Por, gjithsesi këto janë përcaktuese për zhvillimin e politikave në Ballkan”.

“Normalizimi i marrëdhënieve të Ballkanit, edhe nga deklaratat e sotme, shkon përtej normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ndoshta mund t’i paraprijë edhe Mini-Shengenit – për të cilin po diskutohet shumë”.

“Ky do të ishte një sukses i administratës së Donald Trumpit nëse arrin ta përmbyllë këtë cikël gjatë këtij viti. Nga viti 2018, dinamika që po jep politika amerikane – e Donald Trumpit – shkon në këtë rrafsh, jo vetëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por edhe më gjerë”.

“Nga deklaratat e fundit që pamë për zhvillim ekonomik, mendoj se do të jenë disa pako ekonomike që prekin përtej raportit Kosovë-Serbi. Ky do të ishte sukses i madh i Donald Trumpit nëse arrin ta mbyllë para zgjedhjes së tij president”.

Ai ka komentuar mesazhet që i ka parë në vizitën dhe deklarimet e të Dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell.

“[Richard] Grenell sot e ka bërë artikulimin më të mirë të pritjeve të qytetarëve të Kosovës. Mesazhet e tij kanë qenë shumë të shkurtra – dhe kanë qenë tri kryesore”.

“Mesazhi i parë ishte krijimi i institucioneve. Takimi me LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje është në përputhshmëri me pritjet se cilat subjekte politike pritet ta krijojnë qeverinë. Për këtë arsye, konsideroj, se nuk ka e pasë një takim me opozitën”.

“Mesazhi i dytë është çështja e dialogut dhe përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë e cila i hap mundësi një zhvillimi ekonomik. Janë tri kërkesa që janë faktikisht kërkesa të qytetarëve të Kosovës, por që nuk kanë arritur të implementohen nga politika aktuale kosovare”.

“Zhvillimi ekonomik përfshin shumë elemente brenda duke filluar nga lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, si dhe ofrimi i sigurisë për investitorët e huaj – krejt këto janë ngecje që politika kosovare i ka në pesë vjetët e fundit”.

“Konsideroj se të gjitha këto i ka përmendur pas një marrëveshje të arritur me Serbinë e cila do t’i hapë rrugë një pakoje ekonomike, që besoj se do të jetë në shkëmbim të marrëveshjes që do ta arrijnë këto dy shtete”.

Kryeziu ka folur edhe për marrëveshjen për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd të cilën e sheh si një përfshirje direkte të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi – që sipas tij është një kërkesë e qytetarëve dhe politikës kosovare.

“Aktivizimi i SHBA-së është në përputhshmëri me pritjet e qytetarëve dhe kërkesat e politikës kosovare për një përfshirje direkte në këtë çështje. Duke e pasë parasysh se gjatë gjithë dialogut prezenca amerikane nuk ka qenë e përfshirë në mënyrë direkte. Pas këtyre bllokadave ky është një rikthim i Serbisë në tryezën e bisedimeve pas refuzimit të saj për shkak të taksës”.

“Kjo marrëveshje ndryshon nga marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Me aq sa kemi informacion, kjo marrëveshje nuk është e nënshkruar midis të dyja shteteve, por Kosova ka nënshkruar me kompaninë gjermane ashtu si edhe Serbia”.

“Vetëm Albin Kurti ka heshtur, të gjitha subjektet e tjera e kanë përkrahur këtë marrëveshje. Ne kemi dalë me një komunikatë rreth kësaj marrëveshje, sepse konsiderojmë se duhet të ketë transparencë më të madhe në këtë proces dhe ne nuk kemi informacione të mjaftueshme mbi arritjen e kësaj marrëveshje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat