Doktor Pali e jep diagnozën: Ja pse Albin Kurti s’po e bën qeverinë

Aktuale

Doktor Pali e jep diagnozën: Ja pse Albin Kurti s’po e bën qeverinë

Më: 24 janar 2020 Në ora: 23:32
Pal Lekaj

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ministër në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit i Kosovës, Pal Lekaj, e ka quajtur frikacak Albin Kurtin, shefin e partisë që doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, Lëvizja Vetëvendosje.

Lekaj ka vlerësuar në emisionin “DPT Te Fidani”, se Kurti po e pengon formimin e qeverisë së re të vendit, sepse “po frikohet ta marrë përgjegjësinë, ngaqë e di që e presin punë të mëdha”.

“E çmoj për të gjitha që i ka bërë, por po flasim për proceset për të cilat përgjegjësinë tani e ka z. Kurti, dhe është e pakuptimtë një sjellje e tij”, ka thënë Lekaj, duke iu referuar qëndrimit të Kurtit dhe VV’së karshi Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kuadër të bisedimeve për formimin e një koalicioni.

“Nuk bëhet nami nëse tërhiqet z. (Glauk) Konjufca”, është shprehur Lekaj, teksa ka folur për kërkesën e LDK’së që nënkryetari i VV’së të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, për t’ia lëshuar atë partisë së Isa Mustafës.

“Për gjysmë ore do të bëhet marrëveshja”, nëse Konjufca do ta lëshonte karrigen e kryeparlamentarit, ka parashikuar Lekaj.

“Kurti është frikacak i marrjes së përgjegjësive për qeverisjen e vendit”, ka thënë ai.

“Tjetër nuk po shoh. Atëherë le ta bëjë qeverinë. Ne po presim”, është shprehur nënkryetari i AAK’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat