Takimi i Mustafës dhe Kurtit në Prapashticë zgjati deri pas mesnatës, sot pritet të arrihet marrëveshja

Aktuale

Takimi i Mustafës dhe Kurtit në Prapashticë zgjati deri pas mesnatës, sot pritet të arrihet marrëveshja

Më: 25 janar 2020 Në ora: 11:51
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Ndonëse deri më tash asnjëra palë nuk kanë folur për takimin e mbrëmshëm të fshehtë ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes në shtëpinë e Isa Mustafës në Prapashticë, sipas burimeve brenda këtyre dy partive ai ka zgjatur me orë të tëra deri pas mesnatës.

“Bisedimet kanë qenë shumë më të gjata se ato të kaluarat dhe kanë vazhduar deri pas mesnatës. Nuk besojmë që do të ketë deklarata, pasi ashtu janë pajtuar palët për të qëndruar larg publikut dhe mediave deri në arritjen e marrëveshjes”, ka konfirmuar një burim nga VV-ja.

Raportohet se Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë diskutuar për “ndarjen e pushtetit” në të gjitha institucionet, duke filluar nga Qeveria, bordet e pavarura, emërimin e ambasadorëve politikë, policinë, AKI-në, kapjen e prokurorisë dhe gjykatave e kështu me radhë.

Sipas po këtij burimi, Albin Kurti me lehtësi ka arritur ta tejkalojë kushtin e LDK-së për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, duke i ofruar LDK-së dy ministri më shumë se Vetëvendosja, pra 6 ministri për LDK-në dhe 4 për Vetëvendosjen.

Kjo ofertë mësohet se i ka plotësuar apetitet politike të LDK-së dhe pritet që sot gjatë vazhdimit të negociatave të fshehta të natës së mbrëmshme, të cilat po vazhdojnë të jenë tërësisht jo transparente për qytetarët, LDK-ja të përfundojë në “shtratin e lagur” të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, shtëpia ku mbrëmë Isa Mustafa e priti këmbëkryq Albin Kurtin në Prapashticë, kohë më parë ishte shënjestër e sulmeve fizike të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat