Kurti: Ngjarja e Holokaustit duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën

Aktuale

Kurti: Ngjarja e Holokaustit duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën

Nga: M.H. Më: 27 janar 2020 Në ora: 09:37
Ilustrim

Kreu i LVV, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebok, ka kujtuar ngjarjen e Holokaustit, duke shkruar që ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet.

Tutje, Kurti, shkruan që kjo është ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja, që duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën.

Postimi i plotë

Sot përkujtojmë me dhimbje tmerrin e hebrenjve gjatë holokaustit, me dëshirën që kurrë të mos përjetohen ngjarje të tilla tragjike, as nga hebrenjtë e as nga ndonjë popull tjetër.

Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli.

Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist. Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë - e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë...

Holokausti, kjo ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja, ky kulm i poshtëm i aktivitetit njerëzor, duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën. Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat