LDK kritikon qeverisjen në Prishtinë: Teprojnë rreth 30 milionë euro, Ahmetit i ka humbur rruga në oborr

Aktuale

LDK kritikon qeverisjen në Prishtinë: Teprojnë rreth 30 milionë euro, Ahmetit i ka humbur rruga në oborr

Më: 28 janar 2020 Në ora: 14:24
Shefqet Osmani

Grupi i asamblistëve të LDK-së i Prishtinës ka ngritur shqetësimin për mos shpenzimin e buxhetit prej rreth 30 milionë eurosh nga Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga kryetari Shpend Ahmeti.

Në një konferencë për media, asamblisti i LDK-së Shefqet Osmani tha se në raportin financiar buxhetor të Komunës së Prishtinës për periudhën raportuese 1 janar -31 dhjetor 2019, janë paraqitur të dhëna skandaloze, e që më e theksuara është mos shpenzimi i buxhetit në masën e parashikuar si dhe bartja e mbi 28 milionë eurove për vitin 2020, kryesisht nga investimet kapitale, e cila edhe në raportin e Ahmetit theksohet se mund të jetë edhe më e madhe, pra nuk është përfundimtare.

Osmani theksoi se që nga viti i kaluar kanë ngritur shqetësim rreth performances menaxhuese të kryetarit Shpend Ahmeti dhe paaftësisë së tij në drejtimin e Komunës së Prishtinës, për të cilin tha se i ka humbur rruga në oborr. Osmani madje ka kërkuar edhe dorëheqjen e Ahmetit nga pozita e kryetarit e veçmas të kërkojë edhe falje publike.

Osmani: Mbetja e buxhetit të pashpenzuar përfshirë edhe grantin qeveritar është 32.4 milionë euro

 “Edhe më skandaloz po del të jetë, mos shpenzimi i grantit qeveritar në shumën prej 4.2 milionë euro. Nga 55 milionë euro sa kishte grant nga Qeveria e Kosovës, kryetari Ahmeti dhe qeverisja e tij nuk arritën të shpenzojnë rreth 4.2 milionë euro. Të cilat mjete nga paaftësia e kryetarit dhe ekzekutivit të tij kthehen në buxhet të Qeverisë së Kosovës. Buxheti i komunës për vitin 2019, ishte prej 111 milionë euro, në këtë shumë janë llogaritur edhe 23 milionë euro mjete të bartura nga viti 2018 në vitin 2019. Gjatë kësaj periudhe raportuese Komuna e Prishtinës ka shpenzuar 78 milionë e 641 mijë euro dhe mbetja e buxhetit të pashpenzuar përfshirë edhe grantin qeveritar del të jetë 32 milionë e 435 mijë euro, ndërsa për bartjen në vitin 2020 mbesin diku afër 28 milionë”, theksoi Osmani.

Bazuar në pasqyrat raportuese, shkëputur nga raporti financiar buxhetor i Komunës së Prishtinës, sipas tij, kjo tepricë po bëhet në kohën kur Komunës së Prishtinës po i mungon një qeverisje cilësore dhe e përgjegjshme, një qeverisje që punon për qytetarin dhe rregullon mirëqenien e tij.  

Osmani: Dështimet e Ahmetit po vërehen nga çdo aspekt

“Dështimet e kryetarit dhe qeverisë se tij po vërehen nga çdo aspekt e veçanërisht në pasqyrat raportuese financiare, ku sipas tyre shihet se në Komunën e Prishtinës nuk janë bërë investime në infrastrukturën shkollore, e ku Prishtinës i mungojnë më se pesë objekte shkollore. Nuk janë bërë investime as në ndërtimin e institucioneve para shkollore, nuk janë bërë investime as në realizimin e as në rikonstruktimin e rrugës ‘Agim Ramadani’ nuk është bërë ndërtimi i rrethrrotullimit pranë stacionit të autobusëve. Nuk është filluar ndërtimi i rrugës ‘Llapi’, nuk është vazhduar ndërtimi i ‘Rrugës B’ dhe i ‘Rrugës A’, si dhe nuk është përfunduar dalja në rreth-rrotullimin për Fushë Kosovë, nga varrezat ose nga komuna e re”, deklaroi”, Osmani.

Ai tha se te Shërbimet Publike, vërehet se nga 22 projekte me vlerë prej 3.8 milionë euro, dhjetë prej tyre janë me zero shpenzim buxhetor.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të tjera, Osmani ka thënë se Komuna ka rritur shpenzimet në shumë fusha, kryesisht siç tha ai ato të luksit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat