Zbardhen detaje të padëgjuara, ja si ishte festuar në Drenicë vdekja e Rrahman Morinës – rrëfen ish-këshilltari i Kadri Veselit

Aktuale

Zbardhen detaje të padëgjuara, ja si ishte festuar në Drenicë vdekja e Rrahman Morinës – rrëfen ish-këshilltari i Kadri Veselit

Nga: N.H Më: 28 janar 2020 Në ora: 18:08
Rrahman Morina

Ish-këshilltari i Kadri Veselit, dhe ish-kandidati për deputet, Blerim Latifi, në një shkrim në profilin e tij në Facebook, ka zbuluar se si kishte shpërthyer gëzimi në Prekaz, ditën kur ishte dhënë lajmi për vdekjen e Rrahman Morinës.

Sipas Latifit, vdekja e Rrahman Morinës ishte festuar me armë, duke qenë se kishte vdekur njeriu më i urryer i atyre viteve e tradhtari i madh siç e kishin cilësuar atë kohë.

Tutje, ai në shkrimin e tij thekson se vdekja e Rrahman Morinës kishte rritur edhe shpresat se do të vinin ditë të mira.

Ja shkrimi i tij:

Si u prit në Prekaz lajmi për vdekjen e Rrahman Morinës?

Publikimi në media i pamjeve nga vdekja e Rrahman Morinës, më kujtoi një ngjarje të asaj dite. Ishte mbrëmje kur u morr vesh lajmi për vdekjen e tij. Një gëzim i paparë kishte shpërthyer ngado. Njeriu më i urryer i atyre viteve, tradhtari më i madh, siç e quanin të rriturit, nuk jetonte më. Kur ra nata, filluan të shtënat me armë. Ato dëgjoheshin nga të katër anët. Bashkë me disa shokë të lagjës, rrinim në sokak dhe spekulonim se nga vinin të shtënat dhe kush po shtinte Të rriturit nuk e fshehnin gëzimin e madh dhe shpresën se të nesërmen gjërat do të bëheshin më mirë. Gëzimi dhe shpresa e asaj nate, ikën bashkë me të.

Të nesërmen disa autoblinda të policisë, në një demonstrim force, defiluan nëpër katund. Ishte kohë lagështie dhe gjurmët e thella që lanë nëpër ara dhe livadhe, nuk u zhdukën një kohë të gjatë. Me vite madje. Nuk pati më gëzime kolektive dhe shpresa se gjërat do të ndryshonin shpejt u venit. Nuk pati as të shtëna. Deri në fundin e dhjetorit të vitit 1991, kur policia dështoi të arrestonte Adem Jasharin në shtëpinë e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat