Veseli: Albin Kurti ka sulmuar policët e Kosovë, sot kërkon të bëhet kryeministër

Aktuale

Veseli: Albin Kurti ka sulmuar policët e Kosovë, sot kërkon të bëhet kryeministër

Më: 3 shkurt 2020 Në ora: 13:21
Kadri Veseli

Në seancën ku pritet të votohet qeveria e re e drejtuar nga lideri i Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka folur para votimit të kabinetit qeveritar.

Ish-kreu i Kuvendit në mandatin e kaluar, ka thënë se Albin Kurti as nuk e njeh e as nuk e ndjen Kosovën qeverinë e së cilës pretendon ta udhëheqë.

Ai ka përmendur protestat e Vetëvendosjes dhe kohën kur Kurti refuzonte flamurin e Republikës së Kosovës.

Veseli tha se sot po votohet katër muaj pasi që nuk ka pasur përpjekje serioze nga dy partitë për të bërë qeverinë.

Sipas tij, nuk ka pasur parime e programe, por vetëm interes për karrige dhe pushtet, dhe se Vetëvendosje dhe LDK kanë zhgënjyer qytetarët ende pa e formuar qeverinë.

Veseli: Albin Kurti as nuk e njeh Kosovën, as nuk e ndjen

“Sot është ditë e veçantë sepse tash e tutje do t’i kemi dy të vërteta që do të përballen me njerëz tjetrën. Është e vërteta e Kosovës përball asaj të Albin Kurtit. E vërteta e parë dhemb shumë, është e patjetërsueshme, dhe është kokëforte. Ne erdhëm këtu duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por Albin Kurti kur ishte koha ta luftojë Serbinë, nuk e luftoi, u dorëzua, por kur erdhi paqja dhe shteti i lirë, ai e përbuzi, e përdhosi dhe e luftoi atë më vrazhdë sesa Serbinë që e ka luftuar ndonjëherë. Andaj, unë sot do të flas vetëm për të vërtetën tonë e cila është e vërteta e Kosovës. E vërteta e parë është se si po ua lëmë Kosovën sot, të cilën ti Albin Kurti as nuk e njeh, as nuk e ndjen, dhe as nuk e mendon si vend për të jetuar”, tha Veseli.

Veseli tha se Albin Kurti e përdorë flamurin vetëm për interesa partiake, duke i përmendur atij kohën e protestave, që sipas Veselit, Kurti ka sulmuar policët më të mirë të shtetit të Kosovës.

Veseli: Kurti përdorë flamurin për interesa politike

“Ti ke protestuar kundër gjithçka të mirë që i ka ndodhur Kosovës, ke sulmuar policët më të mirë dhe institucionet e Kosovës. Ndërsa sot po kërkon që të bëhesh kryeministër i kësaj Kosove që e ke quajt dje të dështuar. Ti e ke përqeshur dhe përbuzur flamurin e Kosovës, por kur erdhi dita jote për pushtet ti e harrove dhe përbuze edhe flamurin e gjakut kombëtar, ta qiti Ganja. Por sot, si dje edhe nesër, po i përdorë këta flamuj për interesa politike, sepse egoja jote është mbi çdo flamur, mbi çdo gjak dhe sakrificë. Andaj u bëri flamurtari i marrëzisë tende”, tha Veseli.

Veseli tha se PDK në opozitë nuk do të jetë paragjykuese, por do të jetë e pa kompromis.

Veseli: PDK nuk do të heshtë, do të kërkojë llogari për çdo çështje

“Nga sot ne nuk do të heshtim. Do të mbash përgjegjësi ti dhe kasta jote partiake e qeveritare, prej sot e tutje si do të silleni, por edhe për akuzat tuaja të deritashme nuk do të heshtët më. Dhe pikërisht sot të kërkoj t’u tregosh qytetarëve të Kosovës për çka e ke këtë qeveri, me këtë përbërje? A do ta luftosh Serbinë me këtë qeveri apo neve përmes Gjykatës Speciale, sepse ti dhe gjysma e kabinetit tënd të ministrave që i ke propozuar kanë kërkuar burg për çlirimtaret e Kosovës. Si është e mundur që asnjë patriot nuk i bërë vend në kabinetin tënd qeverisës, i ke eliminuar edhe si kandidat për deputet për të ardhur në Kuvendin e Kosovës”, tha Veseli.

Ai tha se do t’i diskutojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut të Brukselit. Gjithashtu, Veseli i tha Kurtit se do të diskutojnë edhe nëse ai do të shkojë për dialog me Serbinë pa kërkuar falje kjo e fundit, e edhe për çështjen e taksës 100 për qind.

Veseli tha se do të flasin edhe për çështjen e Astrit Deharit, për UÇK-në, SHIK-un, Syrin e Popullit e tema të tjera.

Ai tha se PDK do të mbrojë çdo pjesë të vendit, duke theksuar se këtë koalicion e sheh si koalicion të pazareve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat