Thaçi, Mustafa e Haradinaj nuk dëshmojnë në rastin “Veteranët”

Aktuale

Thaçi, Mustafa e Haradinaj nuk dëshmojnë në rastin “Veteranët”

Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 17:16
Pamje nga një seancë gjyqsore

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeministrat Ramush Haradinaj e Isa Mustafa të dëgjohen si dëshmitarë në gjykimin e rastit “Veteranët”. Kjo ka qenë kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarit, Fadil Shurdhaj, Skender Musa.

Për refuzimin e këtij propozimi, ka njoftuar kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, duke mos dhënë ndonjë arsyetim lidhur me këtë vendim.

Kuka-Mekaj: Gjykata ka vendosur të mos dëgjojë dëshmitë e ish-kryeministrave

“Kjo gjykatë ka vendosur që këta dëshmitar të mos dëgjohen  është në pyetje ish- kryeministri Hashim Thaçi, ish-kryeministri, Isa Mustafa  dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Dhe lidhur me këtë gjykata ka marrë vendim që të refuzohet propozimi i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, në fakt i avokatit, Skender Musa që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve Hashim Thaçi, Isa Mustafa. Ky propozim ka rrjedh  nga të gjithë të akuzuarit tjerë është përkrahur nëse nuk gaboj nga Shkumbini, propozim i përbashkët”, u shpreh ajo.

Gjatë kësaj seanca Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë edhe administrimin e provave lidhur me rastin. Prokuroria kërkoi që të bëhet publikimi në ekran i disa nga aplikacioneve sa janë gjithsej 19 e 500 që konsiderohen si veteranë që nuk duhet ta gëzojnë të drejtën e benificionit , por kjo ide u kundërshtua nga të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre.

Të akuzuarit kërkuan që ose të vendosen në ekran të gjitha ose asnjë. Në lidhje me këtë përzgjedhje të 19.500 aplikacioneve, kryesuesja e trupit gjykues  Nushe Kuka-Mekaj kërkoi sqarime nga prokurorët e rastit Enver Krasniqi dhe Valdet Gashi, se në çfarë baze është vlerësuar se nga 46.230 aplikacionet, janë veçuar 19.500 aplikacione si përfitues të parregullt, pasi sipas saj, në gjykatë kanë arritur shumë shkresa me të cilët shumë persona thonë se gjendën në ato lista, por kanë qenë veteranë.

Prokurori Special Enver Krasniqi tha se për identifikimin e kësaj liste janë bazuar në aplikacionet e përfituesve dhe ligjet në fuqi për veteranët e luftës së UÇK-së.

Krasniqi: Identifikimi i 19. 500 personave si përfitues është bërë duke u bazuar në ligj

“Identifikimi i këtyre 19. 500 personave apo përfituesve është bërë duke u pasur parasysh aplikacionet e atyre vetë aplikuesve dhe duke i krahasuar ato me kërkesat ligjore. Në cilin ligj jeni bazuar? Në Ligjin për Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjitha ligjet”, tha ai. 

Duke e parë kundërshtimin e të akuzuarve për publikimin të vetëm disa aplikacioneve, trupi gjykues mori vendim që të administrohet si provë e lexuar, por që të mos publikohet në ekran asnjë aplikacion, pasi mbrojtja i posedon këto aplikacione.

Ish-kryeministri, i akuzuari në rastin “Veteranët, Agim Çeku lidhur me këtë listë tha se e konsideron të mangët këtë provë, pasi shumë prej atyre që figurojnë në listë janë veteranë dhe i njeh ai.

Sipas tij, Prokuroria është marrë kryesisht vetëm me gabimet teknike që kanë qenë nëpër aplikacione.

Çeku madje tha se Prokuroria ka shikuar aplikacionet me dispozita ligjore, por ka bërë gabim të madh pasi shumica e atyre aplikacioneve kanë qenë staf mjekësor apo kanë qenë në logjistikë e në fakt kanë qenë veteranë-luftëtarë.

Çeku: Ne i kemi njohur njerëzit, prokuroria po merret me gabimet teknike

“Dallimi më i madh në mes të komisionit dhe prokurorit, sepse edhe ne si komisionet verifikuese nëpër zona. Komisionet verifikuese në terren kanë pasur të bëjnë me njerëz e kanë njohur edhe shumicën e njerëzve apo të gjithë pothuajse, kurse prokuroria asnjërin prej tyre  edhe këta kanë shikuar vetëm letra, kurse ne kemi shikuar njerëz, bashkëluftëtarët tanë që kemi qenë me ta. Zinxhiri komandues më shumë është bazuar në emra sesa a e ka plotësuar drejt aplikacionin, a ka ndonjë gabim teknik në aplikacion, kurse prokurori ka shikuar vetëm gabimet teknike”, u shpreh Çeku.

Edhe i akuzuari tjetër, Shkumbin Demalijaj pati vërejtje karshi kësaj prove të paraqitur nga Prokuroria Speciale.

Sipas tij Prokuroria nuk i ka shfrytëzuar edhe ankesat e këtyre aplikuesve, por vetëm ka marrë aplikacionet.

Demalijaj: Prokuroria s’është shërbyer me ankesat e aplikantëve, por vetëm me aplikacionet

“Po flasim për bazën e aplikimit që është aplikacioni në këtë rast, por procesi ka pasur shkallshmëri. Prokuroria nuk disponon asnjë ankesë të këtyre njerëzve nga aplikantët që sot po tentohet të publikohen aplikacionet e tyre ose jo pasi shqyrtimit të ankesave gjysma nga ta e kanë fituar statusin  e veteranit, ndërkaq prokuroria nuk është shërbyer me asnjë prej ankesave, të gjitha i ka lënë në sekretarinë e komisionit dhe ka marrë vetëm bazën e aplikacioneve që kanë qenë fillimisht të parashkruar para zinxhirit komandues”, tha ai.

Ish i akuzuari, Shukri Buja  këto prova i ka konsideruar si të njëanshme, pasi sipas tij si provë janë jo relevant dhe nuk i shërbejnë këtij procesi gjyqësor. Buja madje tha se në listën prej 19. 500 përfituesve të rregullt janë futur edhe eprorë të zonave të cilët ai tha se do t’i ftojë për të dhënë dëshmi.

Buja:Në këtë listë kanë futur eprorë të zonës

Video

“Kanë futur në ato lista eprorë të zonës, të cilët do të verifikojnë se janë eprorë të zonës dhe nuk marrin pension”, theksoi ai.

Pas administrimit të provave në pjesë e parë të seancës, kryetarja e Trupit Gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj mori vendim që mediave t’u ndalohet publikimi i deklaratave të dëshmitarëve derisa të përfundojë dëgjimi i të gjithë dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja.

Në këtë pjesë dëshminë e tyre e dhanë dëshmitari, Halil Qadraku dhe Metush Kryeziu.  Ndërsa  seanca për “Veteranët” vazhdon edhe nesër ku dëshminë e tyre do ta japin Vesel Maliqaj dhe Zenel Zekolli.

Ndryshe, në shtator 2018 , Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat