Kurti viziton edhe Istogun: Duhet të nxjerrim mësim nga fatkeqësitë

Aktuale

Kurti viziton edhe Istogun: Duhet të nxjerrim mësim nga fatkeqësitë

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 09:31
Kurti ne Istog

Dëmet që shkaktuan erërat e forta në Istog e kanë shtyrë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti qe të vizitojë këtë komunë dhe të shoh nga afër situatën krijuar dhe dëmet që u janë shkaktuar qytetarëve dhe fermerëve.

I shoqëruar nga kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova ai vizitoi kompaninë "Agroprodukti" në fshatin Sinajë e cila është dëmtuar nga erërat që përfshinë Kosovën natë më parë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pas vlerësimit të dëmeve do mund të shohin se çka mund të bëjnë që të ndihmojnë sidomos në nevojat urgjente që kanë qytetarët dhe fermerët.

Por sipas tij, për një periudhë më afatgjate këto probleme duhet të zgjidhen nga Fondi i Sigurimeve Bujqësore.

Kurti: Duhet të nxjerrim mësim nga fatkeqësitë

"Natyrisht pas vlerësimit të këtyre të shohim edhe si komunë edhe si qeveri se çka mund të ndihmojmë duke u përqendruar tek nevojat urgjente së pari. Në një plan më afatgjatë Fondi i Sigurimeve Bujqësore do i zgjidh këto probleme sepse neve fatkeqësi pas fatkeqësie nuk po nxjerrim mësim asnjëherë e vendet e zhvilluara demokratike perëndimore në Bashkimin Evropian pikërisht me sigurime bujqësore evitohen gjithmonë humbjet prej dëmtimeve të këtilla natyrore prandaj ne do na duhet të merremi sa të mundemi me sanimin e kësaj gjendje tash, por në një aspekt më afatgjatë veçse Fondi i Sigurimeve Bujqësore është ai i cili e zgjidh këtë problem në mënyrë të përhershme", tha ai.

Sipas tij, për dëmtimet në rrjetin elektrik duhet të merret KEDS-i.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ofroi mbështetjen në evidentimin e dëmeve përmes ndërtimit të një infrastrukture ligjore dhe financiare.

Mustafa: Do rregullojmë infrastrukturën ligjore për mbështetjen e bujqve

"Janë edhe dëme fizike në infrastrukturë por edhe dëme në bimë dhe fidane të cilat janë jetike për këtë sektor. Do punojmë intensivisht që të ndërtojmë edhe infrastrukturën ligjore e financiare që këto probleme të evitohen dhe të rregullohen nga sistem financiar i cili do përkrahte bujqit tanë. Por flasim për një sistem të sigurimit bujqësor dhe produktit bujqësor", tha ai.

Kurse, kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova tha se nga kjo erë janë shkaktuar dëme të mëdha në aspektin bujqësor por edhe nëpër shtëpi banimi.

Ai shtoi se janë duke bërë një vlerësim të dëmeve dhe se presin përkrahjen e qeverisë.

Rugova: Po bëjmë vlerësimin preliminar

"Pas kësaj ere të fuqishme që është ashtuquajtur era tradicionale e Istogut dëmet nuk janë të vogla në objektet publike nëpër shkolla dhe ka dëme sidomos në bujqësi por edhe në shtëpi banimi dhe në objekte të tjera publike. Ne jemi duke bërë vlerësimin preliminar. Në këtë drejtim kemi përvojë dhe shpresoj në përkrahjen tuaj si kryeministër", tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitë për të inspektuar më afër dëmet e shkaktuara nga erërat e forta ka vizituar edhe komunën e Klinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat