Kurti në Klinë: Erërat shkaktuan dëme, e rëndësishme që nuk kemi jetë të humbura

Aktuale

Kurti në Klinë: Erërat shkaktuan dëme, e rëndësishme që nuk kemi jetë të humbura

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 09:31
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi mëngjesin e sotëm komunën e Klinës. Shkak i kësaj vizite janë dëmet e mëdha të shkaktuara nga erërat e forta.

Për të parë nga afër gjendjen, Kurti i shoqëruar nga ministrat Hykmete Bajrami dhe Besian Mustafa si dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, takoi banorët e fshatit Stup.

Pasi u njoftua për dëmet që shkaktoi era në këtë regjion, Kurti shprehu gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar komunën dhe qytetarët.

Sipas tij në gjithë këtë fatkeqësi, fat i mirë është që nuk ka jetë të humbura.

Kurti: Do të shqyrtojmë se si mund të ndihmojmë

"Kemi ardhur për të parë për së afërmi dëmtimet që janë shkaktuar dhe nevojat e qytetarëve. Kryetari i Klinës më njoftoi se kanë krijuar një komision për evidentimin e dëmtimeve dhe posa të dalim me një regjistër të këtyre dëmeve si qeveri e Republikës së Kosovës do shqyrtojmë se çka mund të ndihmojmë duke pasur parasysh nevojat më urgjente. Dëmtimet duket se janë nëpër pullaze të shtëpive dhe në serat e fermerëve jemi. Me shumë fat se nga gjithë këto tjegulla që kanë rënë në tokë nuk ka pasur vdekje të njerëzve apo lëndime të tyre dhe dëmet materiale janë e keqe më e vogël kur mund të kesh parasysh se çfarë dëme të tjerash mund të kesh", tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj tha se nga erërat që mbizotëruan në Kosovë qytetarët e kësaj komune kanë pësuar dëmtime të mëdha, por që sot janë më qetë.

Ai tha se ka pasur dëmime nëpër shtëpi private si dhe objekte shkollore. Po ashtu, deklaroi se është dëmtuar rrjeti elektrik si dhe janë shënuar disa dëme në buqjësi.

Elezaj: Kemi pësuar dëme të mëdha

"Qytetarët kanë pasur dëmtime të mëdha sidomos nëpër pullaze, në bujqësi ka dëmtime pra në sera. Ka edhe në objekte shkollore publike. Kryesisht rrjeti elektrik ka dëmtime të mëdha, kemi qenë edhe pa rrymë por sot jemi më qetë”, tha ai.

Erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha në qytetin e Istagut dhe Pejës, ku për shkak të gjendjes emergjente është ndërprerë edhe mësimi në disa shkolla.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti do vizitoj edhe këto dy komuna, per të parë dëmet e shkaktuara.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e shfrytëzoi këtë vizitë në Klinë për të thënë se synim i qeverisjes së tij nuk do jetë vetëm infrastruktura rrugore por edhe rrjeti elektrik dhe ujësjellësi, për t’i dhënë zgjidhje një problemi të kahmotshëm të klinasve për mungesën e ujit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat