Kosovë-BE, nisin takimet e Nënkomitetit të MSA

Aktuale

Kosovë-BE, nisin takimet e Nënkomitetit të MSA

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 10:32
MSA

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoritetet e Kosovës filluan serinë e takimeve të Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me takimin e Nënkomitetit për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikë Sociale, i cili u mbajt të enjten në Prishtinë.

Në takim u mbulua një gamë e gjerë temash nga arsimi, politikat sociale dhe punësimi deri te telekomunikacioni dhe politikat audio-vizuale, si dhe trashëgimia kulturore.

Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të Agjendës përkatëse të Reformave Evropiane dhe prioriteteve të Programit të Reformave Ekonomike si dhe rekomandimeve nga Raporti i fundit të Komisionit për Kosovën dhe konkluzionet e mëhershme të Nënkomitetit.

Lidhur me shoqërinë e informacionit, Kosova përshkroi rezultatet e arritura deri tani në zbatimin e Agjendës Digjitale, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe planet për zhvillimin e shërbimeve dhe trajtimin e sfidave të reja digjitale në vitet e ardhshme. 

Kosova përshkroi punën në vazhdimësi lidhur me sigurinë kibernetike, Direktivën për Sigurinë e Sistemeve të Rrjetit dhe Informacionit (Security of Network and Information Systems-NIS) si dhe transponimin e Rregullores për eIDAS (Shërbimet e Identifikimit Elektronik dhe Besimit për Transaksionet Elektronike në Tregun e Brendshëm - Electronic Identification and Trust Services for Electronic Transactions in the Internal Market).

Komisioni inkurajoi Kosovën të sigurojë pavarësinë financiare dhe organizative të autoritetit rregullator për komunikimin elektronik dhe postar.  Gjithashtu përshëndeti përparimin e Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes Rajonale për Roming.

Lidhur me politikat audio vizuale, në veçanti kalimi në digjitale, Komisioni shprehu keqardhje lidhur me mungesën e progresit dhe inkurajoi Komisionin e Pavarur për Media të gjejë mënyra për të liruar frekuencat gjatë vitit që vjen. Komisioni gjithashtu inkurajoi Kosovën që të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik, në pajtim me “acquis” të BE-së. Gjithashtu kërkoi që ndryshimet e politikave në lidhje me Kodin e Etikës të jenë në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës.

Te punësimi, Komisioni vlerësoi masat aktive të tregut të punës të zbatuara nga Agjencia për Punësim, veçanërisht ato që synojnë rininë dhe gratë. Palët diskutuan projektligjin e punës, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të përmbajë dispozita mbi pushimin e lehonisë dhe të atësisë në pajtim me legjislacionin e BE-së.

Gjithashtu u zhvillua diskutimi për legjislacionin shëndetësor dhe sigurinë në punë, e në veçanti për rritjen e kapaciteteve dhe me këtë përmirësimi i mëtejmë i punës së Inspektoratit të Punës. Palët diskutuan gjithashtu zbatimin e dialogut social në Kosovë.

Sa i përket arsimit, Komisioni ripërsëriti nevojën për të prioritizuar sigurimin e cilësisë në të gjitha nivelet, që nga arsimi parashkollor deri te arsimi i lartë. Kjo mund të arrihet kryesisht duke forcuar organet e sigurimit të cilësisë, përkatësisht Inspektoratin e arsimit dhe koordinatorët e cilësisë për arsimin parauniversitar, Agjencinë e Akreditimit për arsimin e lartë dhe Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve për arsimin profesional, por gjithashtu duke financuar në mënyrë të duhur institucionet arsimore, duke përfunduar reformën e kurrikulës me tekste të reja shkollore dhe me cilësi më të mirë, mundësi trajnimi për mësimdhënësit, si dhe me sigurimin e infrastrukturës së re për arsimim të hershëm.

Komisioni inkurajoi Agjencinë e Akreditimit të rinis përpjekjet për të zbatuar rekomandimet e ENQA për të qenë në gjendje të riaplikojë për rianëtarësim pas dy vjetësh dhe ndërkohë të aplikojë për statusin e vëzhguesit në këtë organizatë.

Autoritetet u inkurajuan të miratojnë Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, në përputhje me rekomandimet e ofruara përmes Instrumentit të Përbashkët BE-Këshilli i Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, si dhe Ligjin për Arsimin Parashkollor. Komisioni vuri re se autoritetet po ofrojnë numër të kufizuar mësimdhënësish ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta, por duhet të përmirësohet qasja në arsim cilësor për të gjithë, përfshi grupet e cenuara dhe komunitetet pakicë.

Sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, Komisioni theksoi se Kosova duhet të sigurojë zotimin e vazhdueshëm në Këshillin Zbatues dhe Monitorues dhe punën e tij si dhe të finalizoj Ligjin për Trashëgimi Kulturore.

Në përgjithësi për arsimin, si dhe për shkencën dhe kërkimin, Komisioni i kërkoi Kosovës që të ofrojë të dhëna të sakta dhe të rrisë shpenzimet qeveritare.

Lidhur me hulumtimin dhe kërkimin, Komisioni theksoi rëndësinë e kapaciteteve të mira për kërkim dhe inovacion për të rritur konkurrencën, integrimin në Zonën Evropiane të Kërkimit dhe përmirësuar pjesëmarrjen në programet e BE-së siç janë Horizon 2020 dhe Erasmus +, përfshi edhe emërimin e pikave të kontaktit për secilin program. Pjesëmarrja e Kosovës në Horizon 2020 ka qenë veçanërisht e lartë në vitin 2019 duke fituar shumë më shumë se 1 milion euro nga Horizon 2020 në konkurrencë.

Në përgjithësi, u diskutua për natyrën ndërlidhëse të aftësive të TIK-ut, si dhe nevoja për integrimin e tyre në Strategjitë e ardhshme digjitale dhe arsimore, njëkohësisht duke marrë parasysh nevojat e tregut të punës.

Takimi u bashkë kryesua nga Ministria për Integrime Evropiane dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga drejtoritë e tjera të përgjithshme dhe ministritë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat