Abdixhiku anulon tenderin 110 milionë eurosh të Pal Lekajt për autostradën Banullë-Dheu i Bardhë

Aktuale

Abdixhiku anulon tenderin 110 milionë eurosh të Pal Lekajt për autostradën Banullë-Dheu i Bardhë

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 11:12
Lumir Abdixhiku

(E plotësuar) - Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka iniciuar procedurat ligjore për anulimin e tenderit për ndërtimin e 24 kilometrave autostradë Banullë-Dheu i Bardhë. E kjo sepse siç tha ai, pa ndarje buxhetore nuk mund të shpallen thirrje që krijojnë obligime financiare për Qeverinë e Kosovës.

Ministri i zgjedhur i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku tha se një qeveri në ikje, pa buxhet të aprovuar, nuk mund të fus në obligime financiare qeverinë e ardhshme, siç ka ndodhur me rastin e tenderit në vlerë prej 110 milionë eurove për ndërtimin e autostradës Banullë-Dheu i Barhdë.

Andaj, ai tha se menjëherë ka iniciuar procedurat ligjore për anulimin e këtij tenderi, që sipas tij, thirrja për tenderim mund të ndodh vetëm pasi të miratohet buxheti i vitit 2020 dhe pasi të kuptohen saktësisht mjetet që i ka në dispozicion kjo ministri.

Abdixhiku: Kam nisur procedurat për anulimin e tenderit për autostradën Banullë-Dheu i Bardhë

“Bazuar mbi dokumentet e prezantuara tek unë dhe në kompetenca që kam si ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, sot kam kërkuar nga organet përkatëse dhe përgjegjëse të ministrisë që urgjentisht dhe pa vonesa të shikojnë procedurat për anulimin e tenderit në fjalë. Kujtojë se qeveria e tanishme do t’i shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga qeveria e kaluar që nuk kanë bazë ligjore, me vëmendje të veçantë vendimet që kanë implikime të mëdha financiare”, tha ai.

Ai tha se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nën mandatin e qeverisë së kaluar, më 13 janar të këtij viti ka shpallur tender në vlerë të 110 milionë eurove, për ndërtimin e 24 kilometrave autostradë Banullë – Dheu i Bardhë.

Meqë në kohë e shpalljes së tenderit, siç tha Abdixhiku me implikime enorme buxhetore, vendi nuk kishte qeveri të re dhe nuk kishte buxhet të miratuar, ai menjëherë në ditët e para të punës ka konsultuar komisionin rregullativ të prokurimit publik dhe Ministrinë e Financave të Qeverisë së kaluar.

Ai tha se të dy opinionet theksojnë se pa aplikim paraprak të mjeteve dhe pa ndarje buxhetore nuk und të shpallen thirrje që krijojnë obligime financiare për Kosovën.

I pyetur për mundësinë e ndërtimeve në Badovc, ministri tha se në ditët në vazhdim do të merret me këtë çështje.

Abdixhiku: Nëse është problem ndërtimi te Badovci, të anulohet kjo ide

“Intenca ime e parë është që nëse është problem, dhe nëse varet prej ministrisë sonë, kjo ide të anulohet por duhet t’i dëgjoj dy palët para se të marr një vendim final dhe ligjor”, tha ai.

Ndërsa për autostradën e Dukagjinit, Abdixhiku tha se planet e qeverisë janë që në vend të ndërtimit të një autostrade të tillë, të bëhet zgjerimi i rrugës aktuale, dhe mjetet e tjera të shkojnë për projekte të tjera, apo për arsim dhe shëndetësi.

Abdixhiku: Në vend të ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, mjetet të shkojnë për shëndetësi dhe arsim 

“Prioritetet e qeverisë sonë janë që çdo autostradë në vend të ndërtohet me kredi të jashtme, por përveç kësaj ne kemi plane të tjera për Dukagjinin dhe qytetarët e Kosovës, në vend të ndërtimit të një autostrade të tillë ne kemi paraparë të bëjmë zgjerimin e rrugës aktuale dhe mjetet në fjalë t’i alokojmë në projekte infrastrukturore të tjera në regjionin e Dukagjinit, në gjithë Kosovën, dhe më tepër që të lirojnë buxhetin që këto mjete të shkojnë në arsim, në shëndetësi e për nevoja të qeverisë”, tha ai.

Ministri i zgjedhur i Infrastrukturës foli shkurt edhe për rrugët në këto ditë me borë, kur tha se ato po pastrohen dhe janë në mbikëqyrje të menaxherëve përkatës.

***

Ministri i Infrastrukturës nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku në konferencën e mbajtur tha se ka inicuar procedurat ligjore për anulimin e tenderit 110 milionësh të shpallur nga qeveria në largim e Ramush Haradinajt.

‘’Sot kam kërkuar nga organet përkatëse që urgjentisht të anulohet tenderi i shpallur nga ish-ministri i Infrastrukturës për ndërtimin e autostradës Banullë- Dheu i Bardhë’’, është shprehur Abdixhiku.

Abidixhiku ka theksuar gjithashtu se ka marrur dy opinione lidhur me vendimin e marrë nga qeveria në largim, se pa buxhet të aprovuar për vitin 2020 nuk duhet të fus në obligime financiare qeverinë e ardhshme.

‘’Është akt joligjor, prandaj kam inicuar procedurat ligjore për anulimin e këtij tenderi’’, tha Abdixhiku.

Drejtpërdrejt nga konferenca e ministrit Abdixhiku

Drejtpërdrejt nga konferenca e ministrit Abdixhiku

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat