BE i quan spekulime raportimet se Lajçak është zgjedhur emisar për dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

BE i quan spekulime raportimet se Lajçak është zgjedhur emisar për dialogun Kosovë-Serbi

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 15:05
BE

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, i ka quajtur spekulime raportimet që po bëhen lidhur me emërimin e një Përfaqësuesi Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi dhe lakimin e disa emrave të ndryshëm si pretendent për të marrë një pozitë të tillë.

I pyetur nëse mund të konfirmojë raportimet e mediave rreth asaj nëse kryediplomati sllovak, Miroslav Lajcak, është emëruar nga Borell si Përfaqësues Special për dialogun, ai ka thënë se “Komisioni Evropian nuk mund të komentojë spekulime të ndryshme”, raporton Danas.

Stano ka thënë se deri tani nëpër media kanë qarkulluar emra të ndryshëm, megjithatë ai thotë se Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, është duke shkëmbyer pikëpamjet e tij me bashkëpunëtorët e brendshëm në Bashkim Evropian për caktimin e mundshëm të një Përfaqësuesi Special.

I pyetur rreth fuqisë që mund të ketë një Përfaqësues Special dhe nëse do të drejtojë i vetëm dialogun Prishtinë-Beograd, apo edhe çështjet që ndërlidhen me rajonin, Stano ka thënë se është shumë herët që të flitet për diçka të tillë.

Emër tjetër i mundshëm që mund të emërohet si Përfaqësues Special është përmendur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen.

Ndërkohë nga Qeveria Federale e kancelares Angela Merkel kanë thënë se e mbështesin Josep Borellin në detyrën e tij të Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, ndërkohë thonë se çështja e emërimit të një emisari special është punë e Borellit, se si ai e dizajnon ekipin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat