Bajrami takon rektorin e UP-së, premton reforma në arsim

Aktuale

Bajrami takon rektorin e UP-së, premton reforma në arsim

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 15:21
Bajrami takon rektorin e UP-së, premton reforma në arsim

​Gjatë këtij viti do të aprovohet ligji i ri për arsimin e lartë, i cili ka ngecur tash e sa vjet në Kuvendin e Kosovës. Mes tjerash do të ketë edhe bursa universitare për profesione deficitare. Këto do të jenë edhe objektivat kryesore të ministres së re të Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Hykmete Bajrami gjatë takimit me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema tha se është shënuar progres në sektorin e arsimit, megjithatë ajo kërkoi bashkëpunim për të vendosur në prioritetet reformat.

Bajrami: Objektiv kryesor është ligji i ri për arsimin e lartë 

“Objektiv kryesor sa i përket arsimit të lartë është këtë vit po shpresoj shumë që në bashkëpunim të mirë do të arrijmë që ta bëjmë amandamentimin, ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili që disa vite ngec në Kuvend dhe ne e dimë për çka se na duhen 2/3 cilësore. Por, unë besoj që do të japim bashkërisht maksimumin në mënyrë që të përfshihen në të gjitha kërkesat ligjore që janë të komuniteteve që ta kemi mbështetjen e tyre në Kuvend të Kosovës. Besojmë shumë që në këtë vit do ta kemi një ligj të ri, deri ka gjysma e vitit apo në fund të vitit me ligj të ri për arsimin e lartë ku ne thellësisht besojmë që do të sigurojmë pavarësi më të mëdha në universitetet publike. Do të krijojmë mundësi që ato të kenë edhe burime të vet financimit, do të krijojmë mundësi që me të vërtetë të hapen ura të bashkëpunimit dhe të afrojmë ekspertët të shkencës”, tha Bajrami.

Krahas kësaj, Bajrami tha se reformat në arsim janë një cikël 10-15 vjeçar, dhe për këtë sipas saj duhet një konsensus nacional.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se janë të interesuar që të ndihmojnë këtë dikaster dhe të transformojnë UP-në.

Dema: UP-ja në 50 vjetorin e saj është në ditët më të mira

"Me këtë vizitë po e fillojmë edhe javën e 50-vjetorit të këtij tempulli të dijes, shkencës, të hulumtimeve, punës artistike, dhe të shënohet një javë, një festë e tillë me praninë e juaj të fillohet është vërtetë ditë e veçantë. Ajo çka është me rëndësi është se në Universitetin e Prishtinës, ky përvjetor po e zë duke e kaluar ditët më të mira, ndoshta lirisht mund të themi që nga themelimi. Dhe kjo ka ardhur pikërisht mbi bazën e studentëve të mirë që kemi dhe vullnetit të mirë”, tha Dema.

Sipas tij, synimi i tyre vazhdon të jetë stabilizimi i UP-së, dhe të ndërtohet një sistem funksional në sektorin e arsimit në Kosovë. Dema tha se pret bashkëpunim nga MAShTI, dhe nga qeverisja e re, për çka sipas tij një gjë e tillë ka munguar më parë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat