Hashim Thaçi flet për herë të parë për largimin e portretit të tij nga Vjosa Osmani

Aktuale

Hashim Thaçi flet për herë të parë për largimin e portretit të tij nga Vjosa Osmani

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 21:14
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lavdëruar homologun e tij amerikan, Donald Trump, për vëmendjen që po i kushton administrata e tij zgjedhjes së mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka thënë në emisionin “A Show”, në televizionin T7, se i dërguari i posaçëm i Trupit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, po bën “punë të mrekullueshme”.

“Atë që të tjerët nuk e bënë për 20 vite, Grenell e ka bërë për disa muaj”, ka deklaruar Thaçi, teksa ka sulmuar Bashkimin Evropian.

Sipas presidentit kosovar, “Kosova është e tradhtuar nga BE’ja. Në veçanti për mosliberalizimin e vizave”.

Thaçi ka akuzuar BE’në për “paragjykim krejt të panevojshëm në raport me të arriturat në Kosovë”.

“Kosova i ka kryer të gjitha obligimet dhe ka plotësuar standardet për liberalizimin e vizave. Është ndëshkim i padrejtë i BE’së ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë për vendimin e Vjosa Osmanit për zhvendosjen e fotografisë së tij nga zyra e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Thaçi ka thënë në emisionin “A Show”, në televizionin T7, se nuk ka “ndjesi private, personale, në asnjë rrethanë” rreth veprimit të Osmanit.

“Sjellja e kryetares së Kuvendit duhet të jetë në raport me institucionet dhe me ligjin”, ka shtuar presidenti.

Thaçi ka thënë se “të gjithë duhet të jemi shembull të sjelljes institucionale, dhe jo të sjelljeve të inateve politike, apo sjelljeve artificiale, me pretendim elektoral”.

“Njeriu kur e merr përgjegjësinë institucionale, shtetërore, prioritet e ka respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve”, ka theksuar Thaçi.

“Nuk dëshiroj të merrem me personin në fjalë. Më së paku sjellja joinstitucionale i takon partisë që ajo i takon, dhe filozofisë së presidentit Ibrahim Rugova”, është shprehur ai.

“Nuk më brengos në rrafshin personal dhe privat, por duhet të kemi pjekuri politike”, ka deklaruar presidenti kosovar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat