Grenell sërish reagon ndaj Kadri Veselit, ka një porosi për të

Aktuale

Grenell sërish reagon ndaj Kadri Veselit, ka një porosi për të

Nga: F. B. Më: 8 shkurt 2020 Në ora: 12:09
Grenell

Përfaqësuesi special i presidentit amerikan për dialogun mes Prishtinës edhe Beogradit, Riçard Grenell ka reaguar përsëri pas një publikimi në Tviter të ish-kreut të Kuvendit Kadri Veseli duke i thënë se me kënaqësi do ia sqaroj pse ShBA mbështesin heqjen e taksës, shkruan “Alo” transmeton “Bota Sot”.

"Me dëshirë dhe kënaqësi do të bisedoj me ju kurdo qoftë që të ju sqaroj pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se duhet menjëherë të mbështesni heqjen e taksës 100 për qind” ka shkruar Grenell në Tviter, si përgjigje në një publikim të Veselit që iu drejtuar po ashtu përmes Tviterit ambasadorit Grenel ku e quajti kryeministrin Kurti gënjeshtar dhe shprehu shqetësimin për ngutjen që të merret me çështjen e taksës.

"I dashur ambasador, Kurti është gënjeshtar! Qëndrimi im për takson është i qartë që nga janari 2019. Abini nuk e ka mbështetur dhe ka drejtuar fushatën kundër asaj, jam i shqetësuar për ngutjen që të merret me këtë çështje pa plan konkret ku do vendoseshin interesat më të mira të Kosovës ", kishte shkruar Veseli në Tviter.

Ky është  vazhdimi i komunikimit të tyre përmes Tviter, pasi më herët Grenell kishte reaguar në deklaratën e Veselit se Prishtina nuk duhet të përmbush kërkesën e Serbisë për heqjen e taksës, ku Grenel e porositi se janë ShBA-të ato që kërkojnë heqjen e taksës.

"Kadri, ShBA kërkojnë nga Kosova heqjen e taksës. Kjo dëmton Kosovën dhe pamundëson ndërmarrjet të hapin vende të reja pune. Albini këtu ka të drejtë”, kishte deklaruar Grenell në reagim ndaj Veselit, që tash është në opozitë.

Shkas për këtë reagim ishte deklarata e Veselit se është i shqetësuar “për ngutjen e panevojshme të Kurtit në përmbushjen e kërkesës së Serbisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat