Ish-kandidatët e VV-së dhe PDK-së për Podujevën tërhiqen nga gara, LDK beson se nuk do ta humb bastionin e saj

Aktuale

Ish-kandidatët e VV-së dhe PDK-së për Podujevën tërhiqen nga gara, LDK beson se nuk do ta humb bastionin e saj

Më: 8 shkurt 2020 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Qytetarët e Podujevës më 15 mars do të dalin sërish në votime për të zgjedhur kryetarin e ri. Gara për të parin e kësaj komune që ndryshe njihet si bastioni i LDK-së, pritet të zhvillohet mes partisë së Isa Mustafës dhe asaj të Albin Kurtit. PDK nuk ka dalë asnjëherë mirë me rezultate në rajonin  e Llapit.

Asnjëra nga partitë ende nuk e kanë propozuar emrin e kandidatit për kryetar të kësaj komune. Dy ish-kandidatë që dolën humbës në garën me Agim Veliun, nuk do të rikandidojnë në këto zgjedhje.

Ish-kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera, shkuarjen në zgjedhje e cilëson si lajm të mirë për llapjanët.

“E para për qytetarët e Llapit është lajm i mirë për shkak se do të mund të vendosin ndryshe nga herët e tjera”, tha Potera të shtunën.

Ai konfirmon se nuk do të kandidoj për kryetar, megjithatë thotë se kandidati i VV-së për Podujevën do ta ketë përkrahjen e tij.

“Unë nuk do të jem kandidat për kryetar të Podujevës sepse kam qenë kandidat për kryetar dhe për deputet… Është mirë të ju japet radha njerëzve të ri me potencial , që kanë mundësi më tepër të marrin vota…Tërheqja, është vendim  i imi personal, nuk po e shoh që duhet ta përsëris për të disatën herë, prandaj kam vendos ashtu”.

Potera tha se partia ende nuk ka vendosur për kandidatin, shtoi se do të mblidhet kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje-dega në Podujevë për të diskutuar për kandidatët potencialë.

“Pritet që organet e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë  të mblidhen dhe të caktojnë ndonjërin prej emrave potencial për kandidatë, pastaj kjo çështje do të kalojë në këshillin e partisë-dega në Besianë”, përfundoi Potera.

Ndërsa, nga Lidhje Demokratike e Kosovës, tashmë kanë nisuar përgatitjet për zgjedhje. Kryesia e LDK-së në Podujevë ka mbajtur sot mbledhje.

Duke folur, Nexhmi Rudari, tha se ende nuk është diskutuar për emra konkretë, sipas tij është diskutuar vetëm për mobilizim të strukturave.

“Kanë fillu përgatitjet për zgjedhjen e kandidatit potencal për kryetar të Podujevës. Kemi biseduar për mobilizim, organizim të strukturave, por ende nuk kemi bisedu për emra konkret për kandidatë. Asnjnë emër nuk është përmendur, kemi bisedu vetëm për organizim dhe mobilizim të strukturave në këtë periudhë”, tha Rudari për Sinjali.

Rudari shtoi se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në Podujevë do të mbledhet sërish për këtë çështje në javën e ardhshme.

Media ka kontaktuar edhe me ish-kandidatin për kryetar të Podujevës nga Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Hyseni.

Ashtu sikur Ajet Potera i Lëvizjes Vetëvendosje edhe Hajredin Hyseni, thotë se ka marrë vendim që këtë herë të mos kandidoj për kryetar.

Ai tha se organet e PDK-së në Podujevë janë në konsultime për të propozuar një kandidat serioz.

“Organet e partisë nuk kanë vendosur ende, janë në konsultime. Unë nuk do të jem më candida, vetë e kam marrë vendimin. Ne do të propozojmë një kandidat serioz”, tha Hyseni.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë Kurti, Avdullah Hoti, ditë më parë u shpreh i bindur se LDK do të dalë fituese në Podujevë, në zgjedhjet e 15 marsit.

“Komuna  e Podujevës do të shkojë në zgjedhje, kjo komunë asnjëherë se ka humbur Podujevën. Jam i bindur që do ta fitojë”, ka thënë Hoti.

Zgjedhjet në Podujevë pritet t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës afër gjysmë milioni euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat