Kusari-Lila: Reciprociteti e ndal fushatën e çnjohjeve nga Serbia

Aktuale

Kusari-Lila: Reciprociteti e ndal fushatën e çnjohjeve nga Serbia

Më: 8 shkurt 2020 Në ora: 23:59
Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë që pritet të vihet nga qeverisja me Albin Kurtin. Ajo thotë se reciprociteti do të kthente në binarë normal raportin e dialogut Kosovë-Serbi e gjithashtu, shteti serb do të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës.

Kusari-Lila thotë se reciprociteti është më efikas sesa taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, sepse ballafaqon shtetin serb me masat e njëjta që ajo i aplikon në Kosovë.

“Reciprociteti është më efikas pasi ballafaqon Serbinë me masat e njëjta të cilat ajo i aplikon ndaj Kosovës si dhe heq presionin e bashkësisë ndërkombëtare nga Kosova dhe e zhvendos atë tek Serbia si shtet me agjendë proaktive dhe destruktive ndaj Kosovës”, tha Kusari-Lila.

Ajo e ka kujtuar masën e reciprocitetit që ia kishte vënë mallrave serbe në mandatin e saj si Ministre e Tregtisë. Porse këtë masë, ajo e kishte vënë kryesisht në aspektin tregtar, dhe thekson se me qeverinë e re, që udhëhiqet nga Albin Kurti, masa e reciprocitetit zgjerohet.

“Reciprociteti i vendosur në kohën kur isha Ministre e Tregtisë dhe Industrisë kishte objektiv njohjen e vulave të doganave të Kosovës nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Dmth, ishin kryesisht të karakterit tregtar dhe lëvizjes së lirë të mallrave. Ndërsa, nga Qeveria Kurti, reciprociteti zgjerohet edhe në masat e gjëra ekonomike, politike dhe ato të lëvizjes së lirë të njerëzve, fushën e arsimit dhe në të gjitha fushat e jetës ku Serbia cenon të drejtën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Kusari-Lila.

Tutje, ajo thotë se kjo masë, do ta kthente në binarë normal raportin e dialogut Kosovë-Serbi, e do të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës nga ana e këtij shteti.

“Nuk e mendoj se Serbia do ta njoh Kosovën me taksë, por as me reciprocitet. Reciprociteti vetëm se kthen në binarët normal raportin e dialogut, ndal fushatën e Serbisë dhe në rrethana të bazuara nga përvoja paraprake, do të shtyjë Serbinë të filloj zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara, por të nënshkruara në Bruksel. Përmes zbatimit të marrëveshjes dhe shtimit të temave të patrajtuara deri më tani në procesin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, atëherë mund të parashikojmë njohjen apo hyrjen në fazën e njohjes së Kosovës nga Serbia”, tha Kusari-Lila.

Tutje, ajo thotë se reciprociteti si parim, duhet të jetë në fuqi përderisa të ketë sjellje diskriminuese të Serbisë ndaj Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat