Këto janë ndryshimet epokale që pritet t’i bëj Albin Kurti si kryeministër

Aktuale

Këto janë ndryshimet epokale që pritet t’i bëj Albin Kurti si kryeministër

Nga Më 9 shkurt 2020 Në ora: 18:47
Albin Kurti

Albini e mori më në fund pushtetin pas njëzet e tre vitesh në opozitë.

Një herë, kryeministri ynë  ishte kundër Millosheviçit, pastaj kundër UNMIK-ut, kundër PDK-së e kundër satelitëve të PDK-së. Nuk kishte frikë të thoshte atë që mendonte, të shprehte haptas e troç qëndrimin e tij KUNDËR. Edhe nëse i kushtonte me burg, edhe nëse i kushtonte me vota, edhe nëse do t’i kushtonte me vetë jetën e tij.

Hakun duhet t’ia japim: Ky ishte Albini. Dhe po ky Albin na erdhi si kryeministër.

Opozita e sotme formalisht thirret opozitë, por në esencën e saj të vyshkur nuk është asgjë tjetër përveç një grupi interesash e interesxhinjsh që nuk e përfaqësojnë askënd. Bash askënd.

Populli nuk i do. Një pjesë e popullit mund t’i votojë për shkak të një kafshate bukë që e merr nga ndonjë i punësuar me dukurinë e nepotizmit e klientelizmit, por nuk i do dhe nuk i beson. PDK-ja madje pa fijen e marres e vendosi si shef të grupeve të interesit Xhavit Halitin. Interes, interesaxhinjsh, ky është pushteti i oponentëve të Kurtit. Populli nuk i do e nuk i beson. Sepse interesi nuk është qëndrim e as parim. Sepse interesi është i ngushtë e shtrihet vetëm te paratë që ata i rrisin e i rrisin, vetëm te luksi si një sëmundje nga e cila vuajnë.

Por, Albini pritet të na çojë përpara. Të na zhvillojë ekonominë. Më e rëndësishmja, ekonominë tonë të zhvilluar pritet ta kthejë në atë formë që ne, qytetarët e thjeshtë, t’ia shohim hairin. Se po, ekonomia jonë zhvillohej edhe gjatë kohës së tyre, por ky zhvillim i Kosovës ishte në fakt zhvillim i tyre. Zhvillim i interesave të tyre. Ata ishin Kosova. Ne të tjerët, ishin periferia e saj e pavërejtshme e papërfillshme.

Me Albinin, ne erdhëm në pushtet. Ai na tregoi se si do të na e subvenciononte pagën. Se si do të luftonte korrupsionin në institucione e në shoqëri. Se si do të ngriste Fondin Sovran, e do të na e kthente pronësinë e AKP-së, e shquar për privatizime të dyshimta. Për privatizime nga të cilat përfitonin ata që përfituan gjithmonë e për gjithçka, pasanikët e luksit.

Albini pritet të kthejë përmbys ekonominë. Në vend se të përfitojnë vetëm pak njerëz nga rritja ekonomike e shtetit, do të përfitojmë të gjithë nga pak. Unë, ti, ai, ajo, NE e JU, por jo ATA. Të paktën, jo vetëm ATA.

Pushteti i Albinit që ka treguar se jeton në një banesë 60 metra katrorë nuk është pushteti i një milioneri. Nuk është pushteti i një multi-milioneri. Është pushteti i njeriut si unë, si ti, e si ne të tjerët.

Ne shquheshim për pushtetarë që lakmonin pasurinë. Për pushtetarë që nuk ngopeshin nga pasuria. Me pushtetarë që e kishin tërpinë e pasurisë. Por, me Albinin kjo merr fund njëherë e mirë. Dhe të shpresojmë se si Albini do të jenë edhe zyrtarët e tjerë qeveritarë nga VV-ja e nga LDK-ja.

Kosova ka nevojë për një arsim më cilësor, dhe kjo rritje e cilësisë arsimore të na vjen nga maja, nga vetë gjuha e Albinit që flet pa gabime, flet me rrjedhë e ndershëm. Të menduarit kritik në mënyrë të drejtpërdrejtë do të rritet anë e kënd Kosovës, thjesht nga retorika e kryeministrit të ri.

Secila deklaratë e tij është një ligjëratë në vete, një ligjëratë mbi ekonominë, muzikën, sportin, kulturën, arsimin, politikën. Dhe secila na bën më të mençur e më të drejtë. Sepse të jesh i drejtë duhet edhe të dish diçka. E për këto ligjërata që mendimtarët pushtetarë paguhen nga qindra-mijëra euro për një orë, ne do t’i kemi falas thjesht duke e dëgjuar nga televizorët tanë.

Albini do t’ia dalë mbanë. Do t’ia dalë mbanë të bëj ndryshimin thjesht duke qenë ai që është. Një asket kundër tërpisë, një fjalë-mençur kundër llafazanësisë idiote, një mençurak kundër budallallëqeve.

Kaq na mjafton për një rikthim të shpresës e dinjiteitit. Për një ndryshim themelor në gjithçka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat