Haxhiu: Ta kthejmë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe ta luftojmë të keqe

Aktuale

Haxhiu: Ta kthejmë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe ta luftojmë të keqe

Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 15:52
Foto nga takimi

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë (KGjK), Skender Çoçaj, priti sot në një takim pune Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilën e njoftoi me arritjet e deritashme, objektivat dhe sfidat me të cilat po përballet sistemi gjyqësor në vendin tonë.

Çoçaj tha se kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për arritjen e qëllimeve që garantojnë një sistem gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, rritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës të sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja Haxhiu shprehu përkushtim për ofrimin e mbështetjes për realizimin e kërkesave buxhetore që i kanë institucionet e drejtësisë. Ajo theksoi se është e hapur dhe e gatshme në ofrimin e përkrahjes për institucionet e drejtësisë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve në drejtësi.

“Jam e gatshme që bashkërisht me institucionet e drejtësisë t’i qëndroj besnike misionit tim si ministre e Drejtësisë që ta kthejmë besimin e qytetarëve tanë në drejtësi dhe ta përmbushim misionin e përbashkët, luftimin e së keqes”, tha Haxhiu.

Të dy palët diskutuan rreth adresimit të çështjeve të ndryshme si: zgjidhja e lëndëve civile, parashkrimi i lëndëve, buxheti 2020 dhe aprovimi i tij, nevoja për staf në gjykata, ligji i konfiskimit të pasurisë, rritja e pagave për stafin administrativ në gjyqësor, pjesëmarrja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në grupe punuese dhe trajnime, si dhe çështje të tjera të cilat cilësohen si sfida aktuale në sistemin e drejtësisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat