Dumoshi kërkon të caktohet vendi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës

Aktuale

Dumoshi kërkon të caktohet vendi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës

Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 17:03
Anton Çetta

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, si asambleiste e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka kërkuar sot që në mbledhjen e radhës të hyjë në rendin e ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës.

Ajo shkruan në Facebook, se Kosova dhe Prishtina i kanë borxh Antonit, andaj duhet miratuar ky vendim, në 100-vjetorin e lindjes së tij dhe 30-vjetorit të Lëvizjes së madhe të pajtimit të gjaqeve.

“Nëse sot i japim udhë kësaj pune, kryeqytetit tonë do t’ i japim një monument madhështor të urtësisë, dashurisë dhe përbashkimit”, shkruan ndër tjera Dumoshi.

Postimi i plotë

Si asambleiste e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, kërkova që në mbledhjen e radhës të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës.

Sivjet është 100 vjetori i lindjes së Antonit dhe po ashtu 30 vjetori i Lëvizjes së madhe të pajtimit të gjaqeve.

Kjo lëvizje e madhe, që bashkoi djem e vajza, të ri e të vjetër u bë shtytja themelore për programin e mëvonshëm për liri, pavarësi dhe demokraci.

Për më tepër, kjo lëvizje bashkoi popullin shqiptar të Kosovës, që sot të jemi të lirë dhe të pavarur.

Kosova dhe Prishtina i kanë borxh Antonit, prandaj sot kërkohet prej nesh që të miratojmë një vendim për t’ i gjetur vend Antonit në Prishtinë.

Sepse kështu e ndreqim një gabim të madh.

Sepse kështu e bëjmë Prishtinën më të bukur.

Sepse kështu Prishtinës ia japim një monument, para së cilit secili shqiptarë do të ndihet krenar dhe i lartësuar.

Figura e tij e humanizon Prishtinën dhe mund të bëhet një pikë orientimi për qytetin.

Figura e tij e fisnikëron Prishtinën dhe i jep dimension etik kryeqytetit të Kosovës, për të cilën ai punoi me dashuri dhe përkushtim.

Të dashur asambleistë, një monument për Antonin, duhet të na bashkojë të gjithëve në këtë jubile të dyfishtë për të dhe për trashëgiminë e tij të pasur e bashkuese.

Kosova sot ka nevojë për frymën e tij.

Prishtina sot ka nevojë për figurën e tij.

Prandaj ju ftoj që të bashkohemi sipas filozofisë së Antonit dhe për të mirën e brezave që do të vijë.

Me urti e mirëkuptim, për të mirën e përbashkët.

Nëse sot i japim udhë kësaj pune, kryeqytetit tonë do t’ i japim një monument madhështor të urtësisë, dashurisë dhe përbashkimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat