Djali Hashim Thaçit, Endriti bëhet drejtor i Stacionit të Autobusave?

Aktuale

Djali Hashim Thaçit, Endriti bëhet drejtor i Stacionit të Autobusave?

Nga: V.R Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 18:20
Endrit Thaçi

Sot, tek sa po përkujtonim protestën e famshme të 10 shkurtit 2007, në kohën kur u vranë padrejtësisht edhe dy protestues, anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje,  na doli lajmi se, Drilon Thaçi, djali i vëllait të presidentit Thaçi, ka marrë postin e zëvendësdrejtorit në Departamentin e Inovacionit në Telekomin e Kosovës.

Pyetja që lind natyrshëm në të tilla raste është: A jeni bre normal?

A keni fund ju? A keni boll ndonjëherë ju, njerëz pa njerëz, qenie të gërditshme?

Hë Hashim, deri kur do t’i duhej këtij populli t’i duroj budallallëqet tuaja?

A ke dorë ti, o djalë? Si s’u ngope me të qenurit president, po s’la birë nanë e birë babe pa e punësu, edhe atë nëpër institucione?

Qysh s’t’vjen marre bre?

Po pse more pse duhet t’i përjetojmë rishtas të njëjtat gjëra? Po ecë koha, po ecë krejt jeta, e këta vazhdojnë të na sillen sa andej e sa këndej si çlirimtarë, si njerëz të sakrificës, si njerëz që duhet t’i shohim derisa të na marrë vdekja.

A e merr me mend se 20 vjet kohë ia humbe vendit, qytetarëve të vendit, një pjesë e mirë e të cilëve nuk ka kurrfarë perspektive. Shumë prej këtyre të rinjve punojnë për 200 e 300 euro. A e bëjnë mend se si do të martohen, se si do të bëjnë e mbajnë fëmijë këta të rinj, se si do të shkollohen, se çka do të hanë e do të pinë?

A të intereson ty dhe njerëzve të tu, se si jeton një njëzet vjeçar i shtresës së shtypur të shoqërisë? Me fare pak të ardhura.

Po na i përdhunoni nervat. Edhe në luftë, s’është që vetëm ju e pësuat. Çlirimi nuk na erdhi se ju guxuat t’i kapnit armët, por bukfalisht na erdhi se neve na dëbuan forcat serbe, se ju nuk na mbrojtët ani pse quheshit ushtrisë, se na masakruan, se na përdhunuan, se na i futën ethet në bark. Ku ishit ju atëherë? Në atë vakt, për një pjesë të madhe njerëzish ishte më kollaj të kishte një armë në dorë se të ishte i paarmatosur.

A e dinë more këta njerëz që ekziston jetë edhe përtej sakrificave të tyre? Na e gërditët me luftë, e me sakrificë, e me gjithçka.

E keni shkatërruar shëndetësinë, gjyqësinë, sportin, kulturën, e më e rëndësishmja ekonominë. Ju jeni multimilionerë vetë, dhe s’iu vjen marre që edhe vuajtjen tonë po na e vidhni. Po e bëni të parëndësishme. Po kush mendoni more se iu duron juve krejt jetën? Unë pas dhjetë vitesh do t’i kem 41. Një 41 vjeçar pas 10 vitesh do t’i ketë 51. Po ju s’po plakeni more iu hëngshin shtatëqind.

Ju jeni 1 për qindëshi i këtij mileti të shtypur e të vrarë. Ju jeni bërë bash si ata që dje na rrihnin rrugëve. Ju s’keni asnjë lidhje të vetme me fatin e vendit. Ju keni privilegje që i gëzoni çdo ditë të lume.

Me paratë e mia, me paratë e njerëzve të tjerë si unë që punojnë natë e ditë që të sigurojnë mbijetesën. MBIJETESËN. Ndoshta krejt jeta ime nuk vlen sa 10 minuta të jetës suaj. Se ju keni jetë cilësore. Alamet pasurish e katandish. E prapë, unë jam ai që do të paguajë për gjykimin tuaj në Hagë. Unë jam ai që do t’i paguajë seancat gjyqësore e avokatët. E unë jam ai që detyrohet të iu dëgjojë derisa flisni si të ishit viktima e si të ishit të hequr keq. Unë, i hequri keq iu dëgjoj juve milionerëve që flisni se si ju jeni të hequr keq. E çka jam unë? E çka jemi ne?

Jo, ne për juve as që ekzistojmë. Ju s’keni troh respekti për dinjitetin dhe integritetin e njerëzve të thjeshtë. Ju s’i bëni hesap dhimbjet e shtypjet e të gjithë neve bashkë. Ju jeni njerëz që meritoni të dënoheni bash për këtë shkak: se na e keni vjedhur të tashmen e të ardhmen. Se po na i shkërdheni nervat. Se po na mbysni me idiotësira. Se po na sundoni egërsisht.

Ikni prej këndej. Thyeni qafën se nuk iu duam! Na keni ardhur  te hunda.

Ose, punëso edhe djalin, fute drejtor në Stacion të Autobusëve se më keq nuk bëhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat