Ish-zëdhënësi i Vetëvendosjes, përkujton axhën e vrarë nga serbët

Aktuale

Ish-zëdhënësi i Vetëvendosjes, përkujton axhën e vrarë nga serbët

Nga: V.R Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 18:40
Haki Hoti

Ish-zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, nëpërmjet një statusi publik në Facebook, ka postuar një fotografi të axhës së vet, Haki Hotit, me ç’rast tregon se është vrarë në mënyrë mizore nga organizata terroriste serbe “Crna Ruka”, “Dora e Zezë” në shqip.

Sipas Shkodranit, Hakiu, qartazi ishte vënë në shënjestër për shkak të kontributit të tij duke vënë shtëpinë e tij në dispozocion të shkollës.

Postimi plotë:

Ky është xhaxhai im, Hakiu, i vrarë në mënyrë mizore nga organizata terroriste serbe "Crna Ruka", "Dora e Zezë" në shqip. Ai u vra në shkurtin e vitit 1999. Kishte mbaruar punën në Istog, në Kafeçajtoren "Hoti", vend i mirënjohur për atë kohë në qytetëzën e vogël. Teksa po kthehej në shtëpi, në Dubravë, ishte kidnapuar dhe vrarë, dhe më pas trupi tij ishte hedhur në lumin e fshatit Zabllaq.

Hakiu qartazi ishte vënë në shenjestër për shkak se shtëpia jonë ato vite ishte shndërruar në shtëpi-shkollë, ku nxënësit shqiptarë ndiqnin mësimet sipas organizimit paralel të vendosur nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, duke kundërshtuar kështu politikat shtypëse dhe diskriminuese të Serbisë. Po ashtu, shtëpia jonë kishte hapur dyert edhe për forcën politike kryesore të asaj kohe, LDK'në, që aty të mbante mbledhjet dhe të organizohej. Ndërkohë që kafeçajtorja që e menagjonte Hakiu, ishte një vend që tashmë policia disa herë kishte bërë telashe për shkak të transmetimit të programeve të RTSh'së dhe muzikës shqip.

Atëbotë, unë ende nuk i kisha mbushur 6 vite. Ende nuk kisha filluar mësimet, të cilat i fillova pas luftës. Por, abetaren dhe fletoren e parë m'i kishte blerë ai, qysh kur isha 5 vjeçar. Nga ajo abetare kam mësuar shkronjat, të shkruaj e të lexoj.

Ditën kur ai ishte në punë, nëna m'i mësonte shkronjat. Në mbrëmje, ai më testonte dhe më notonte; dhe më jepte detyrën e te nesërmes - ta mbushë një faqe fletoreje me shkronjën e radhës. E, në një moment, e mbaj mend edhe kur me pati vlerësuar me një notë të dobët. Pata qarë dhe nuk e doja më si mësues.

Por, ai mbeti mësuesi im. Është edhe sot, që u mbushën 21 vite nga vrasja e tij. Nuk kam shkruar asnjëherë për të publikisht. Pakkush më ka dëgjuar duke folur për të edhe privatisht.

Sot, vendosa të shkruaj, jo për të shprehur mungesën e tij, gjë e cila s'është e nevojshme të konstatohet në raste të tilla. Shkruajta për t'i përlartësuar kujtimet e mira. Për ta shprehur fuqinë dhe qendresën e tyre. Ato janë krejt çka na mbetet nga njerëzit që i humbim, në çfarëdo forme. Ndonëse jo fizikisht, ato i ringjallin ata që nuk i kemi më pranë. Jetojmë me to deri kur të shndërrohemi në kujtim të dikujt tjetër. Hakiu është nga ata që më jep mësim edhe sot përpjekjen për të mbetur kujtim i mirë për dikë. Do ta kujtojë dhe të jetojë me të dhe duke mësuar nga ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat