Grenell kundër reciprocitetit ndaj Serbisë - Bota Sot
Grenell kundër reciprocitetit ndaj Serbisë

Aktuale

Grenell kundër reciprocitetit ndaj Serbisë

Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 06:46
Ambasadori Richard Grenell

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin.

"Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit", shtoi ai.

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Haki Abazi tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës po punon që të tejkalojë çështjet e hapura dhe se sipas tij, vendosja e reciprocitetit “është qasje pragmatike”.

"Është një situatë dhe vullnet i madh për të tejkaluar çështjet e hapura drejt zgjidhjes së nyjeve në Ballkan dhe përkushtim nga të gjitha anët është në atë drejtim. Sigurisht, që për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme, secila palë ka pozicion dhe instrumente të ndryshme. Reciprociteti është një sërë masash që aplikohet në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kjo është qasje pragmatike, ndërsa në anën e Serbisë pritet përkushtim dhe deklarim për stopimin e fushatës kundër njohjeve të reja dhe sabotimit të shtetësisë së Kosovës”, tha Abazi.

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se deklarata e ambasadorit Grenell, shpreh qëndrimin e qartë të SHBA-së që edhe taksa të hiqet, por mos të vendoset asnjë masë tjetër, siç është përmendur reciprociteti.

Qeveria e re, thotë ajo, ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit kundër Serbisë, por ende nuk është sqaruar nga si do të zbatohet kjo politikë të cilën ata e kanë sugjeruar.

“Gjithsesi është një vendim i cili mbetet Qeverisë së Kosovës. Por, ajo që kemi kërkuar ne si KDI, ku lidhet më procesin e dialogut, është që të ketë një konsensus sa më të gjerë politik dhe i mbetet kryeministrit Kurti të ndërmarrë masa për të ndërtuar një konsensus sa më të gjerë politik. Por, i mbetet Qeverisë se Kosovës se çfarë masash do të ndërmarrë dhe si do veprojë lidhur më taksës dhe reciprocitetin”, tha Krasniqi.

Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.

Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet "në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik".

Zotimi i Kurtit për heqjen e taksës - e cila është bërë shkak i bllokimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë - ka nxitur reagime të ashpra nga opozita në Kosovë.

Kjo ka bërë që Grenell t'i drejtohet Kadri Veselit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës - subjektit më të madh opozitar - javën e kaluar, duke i thënë se "taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet" dhe se Kurti "ka të drejtë në këtë drejtim". /REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat