Fjalimi i kryeministrave shqiptarë: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri mbi prioritete, Kosova pa Shqipërinë nuk do t’ia dilte karshi luftës ndaj Serbisë

Aktuale

Fjalimi i kryeministrave shqiptarë: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri mbi prioritete, Kosova pa Shqipërinë nuk do t’ia dilte karshi luftës ndaj Serbisë

Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 09:07
Albin Kurti dhe Edi Rama

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri pas marrjes së detyrës, ka folur rreth zbatimit të marrëveshjeve të kaluara ndërshtetërore, duke thënë se në këtë drejtim duhet punuar më shumë për eliminimin e dobësive dhe afrimin sa më të madh ndërmjet dy vendeve.

I pyetur nga KosovaPress se sa do të jetë e efektshme mbledhja e ardhshme e dy qeverive në Shkodër, duke pasur parasysh se edhe marrëveshjet e 2018 nuk janë implementuar dhe nëse do të rishikohen marrëveshjet e nënshkruara deri më tash, Kurti tha se barrierat do të eliminohen.

Kurti: Ka anomali, do t’i eliminojmë

“Ekziston vullneti dhe plani, komisioni ndërshtetëror që të trajtojë zbatueshmërinë e plotë të marrëveshjeve dhe shtimin e tyre. Prej kontrolleve e verifikimeve të dyfishta që i kanë dy shtetet tona e deri te fakti që në Kosovë për të p asur leje-qëndrimi duhet pasur leje pune, e për pasur leje pune duhet pasur leje-qëndrimi, përbëjnë një vistër anomalish, të cilat ne do t’i shqyrtojmë dhe do t’i eliminojmë në mënyrë që dy vendet tona të jenë sa më afër njëra-tjetrës”, tha Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se një pjesë e marrëveshjeve ka ecur mirë, por u shpreh optimist se këto do të zgjidhen në të ardhmen.

Rama: Një pjesë e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri nuk kanë ecur mirë

“Është e vërtetë që kemi nevojë për përshpejtim për një shpejtësi të re, Albini e quan fillimi i ri, është i ri në detyrë, por një shpejtësi e re është e domosdoshme, sepse faktikisht kemi shumë marrëveshje, një pjesë e tyre kanë ecur mirë, një pjesë e tyre nuk kanë ecur mirë, dhe besojmë që misioni ndërshtetërore do t’i japë mundësi të dy qeverive që të mblidhen jo vetëm për t’i nënshkruar marrëveshje të reja , por për të parë ecurinë e marrëveshjeve ekzistuese dhe do të na jep mundësi të dyve për të ndjekur dhe shtyrë në drejtimin e duhur në ato pika ku komisioni do të konstatojë që ka nevojë për ushtrim të vullnetit qeverisës”, tha Rama.

Rama theksoi se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të bëjnë procedura burokratike për të punuar në Shqipëri, ndërkohë në Kosovë ka mbetur ende procedura. Ai shpreson se në mbledhjen e muajit mars do të ketë përparime.

Rama: Në Kosovë ka mbetur procedura e njëjtë si për kinezët, si për shqiptarë

“Ministri Qalaj ka marrë një iniciativë të bazuar te dakordësia dhe që ishte në rendin e ditës, dhe sot qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të bëjnë procedura burokratike për të punuar në Shqipëri ndërkohë që në Kosovë ka mbetur procedura e njëjtë si për kinezët, si për shqiptarë. Kjo është thjesht çështje burokracie dhe nuk ka lidhje me vullnet in qeverisës që është i plotë dhe sfida jonë, e ndamë edhe së bashku, ta bëjmë makinën burokratike që të lëviz me shpejtësinë e dëshirës tonë dhe në këtë aspekt duke qenë se Albini vjen me energji të reja, është një potencial për të shtyrë më shumë dhe besoj që do të arrijmë të shtyjmë më shumë, në mbledhjen e fund-marsit ma merr mendja do të na gjykoni për faktet dhe jo më për përshëndetjet ceremoniale”, tha Rama.

***

Kryeministri i Kosovës dhe homologu i tij nga Shqipëria kanë folur në konferencën e përbashkët për media në Tiranë në lidhje me idenë e mini-Shëngenit ballkanik, nismë të cilën Prishtina zyrtare e ka refuzuar duke mos marrë pjesë në asnjërin nga takimet e deritanishme rajonale.

Duke dhënë detaje nëse kjo temë është diskutuar në takimin e tij të parë zyrtar jashtë vendit, kryeministri Albin Kurti tha se më tepër kanë folur për makro-Shëngenin shqiptar se sa për mini-Shëngenin ballkanik.

“Unë besoj se s’ka makro-Shëngen shqiptar pa mini-Shëngen ballkanik, edhe pse unë nuk e di se këtë fjalën ‘mini’ nuk e di kush ia vuri, por unë për shkak të gjatësisë jam i prirë të bëjë gjëra ‘mini’, por besoj se makro-Shëngeni shqiptar është i lidhur ngushtë me Shëngenin rajonal, sepse nëse ne jemi konsistentë në vazhdën e procesit të Berlinit dhe nëse jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve, për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, për të pasur lëvizje të lirë mes nesh, çfarë deri dje ishte e paimagjinueshme, për shkak të rezistencës jo vetëm të Serbisë, por edhe të gjitha vendeve tjera. Sot është vetëm në dorën tonë, këtë rezistencë e kam thyer dhe të mos humbim kohë dhe ta çojmë përpara këtë proces, se as Serbia e as vendet tjera nuk mund të thonë se po bëjmë Shqipërinë e madhe nëse heqim kufirin”, tha Rama.

***

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar kryeministrin Albin Kurti për marrjen e detyrës së re, si udhëheqës i ekzekutivit.

“Është kënaqësi e veçantë. Ju uroj suksese. Mbetem me shumë shpresë që Qeveria Kurti do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë që të jetë shembull për rajonin” ,tha Meta.

Kurti tha se duan ta shtojnë bashkëpunimin me Shqipërisë, sepse është nevojëe.

“Ka aq shumë fusha ku edhe mund të realizojmë marrëveshjet e nënshkruara por pse jo të ketë edhe të reja”, tha Kurti.

Kurti i fundit pas takimit që pati me homologun shqiptar Edi Rama, ka takuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë, tha se Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Sebisë në luftë e as në paqe.

‘’Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, po ashtu as në paqe pa Shqipërinë, ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë, duam që në shekullin 21 të ecim bashkë shpejt e fuqishëm’’ tha Kurti.

Kurti gjithashtu tha se gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ata u dakorduan të ndërtojnë një funksion ndërshtetëror i përbërë nga ministra dhe deputet.

‘’U dakorduam që të ndërtojmë një funksion ndërshtetëror i përbërë nga ministra dhe deputetë. Që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani do të zbatohen por edhe të shtohen marrëveshje të reja’’, theksoi Kurti.

***

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se ka qenë kënaqësi ta mirëpresë kryeministrin e ri të Kosovës Albin Kurtin bashkë me delegacionin e tij.

Rama në konferencën e përbashkët për media ka thënë se me Kurtin janë dakorduar që menjëherë të nisin përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive – Kosovë dhe Shqipëri – që do të mbahet në Shkodër.

“I dashur Albin, mirë se erdhe dhe më vjen mirë që kemi pasë një komunikim të hapur, të rëndësishëm, intensiv për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim dhe gatishmëri të plotë reciprokisht”.

“Kemi rënë dakord që të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhje të  dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë dhe aty u dakorduam për Shkodrën. Një vakum mes dy mbledhjeve na imponon që të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe jo vetëm kaq, por në të gjitha hapësirat mes dy mbledhjeve të qeverive do të vendosim një Komision Ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të Komisioneve Parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre dhe për t’i adresuar mbledhjes së të dy qeverive në funksion qoftë të arritjeve ose nevojës për vendimmarrje të tjera”.

Kryeministri shqiptar ka thënë se me homologun e tij kosovar ka folur edhe për procesin e Berlinit.

“Kemi diskutuar natyrisht me kryeministrin edhe për procesin e Berlinit dhe vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelorë të BE-së në rajonin tonë. Për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet mbi prioritete”.

“E kam thënë, ja thashë kryeministrit Kurti sot dhe po e them edhe publikisht, për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve në radhë të parë dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore të jemi të gatshëm, të angazhuar dhe të qartë në çdo hap për të hequr kufirin mes të dyja shteteve”.

“Dua të theksoj që ne jemi 100 për qind në mbështetje të Kosovës në gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes së plotë dhe të afirmimit të plotë përfundimtar si shtet sovran dhe demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet”.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot po e zhvillon vizitën e parë zyrtare jashtë vendit dhe këtë në Shqipëri.

Kurti u prit nga Rama dhe kabineti i tij në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Këtë e ka bërë të ditur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook.

Image

“Tiranë, Pallati i Brigadave – Ceremonia e mirëseardhjes së Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti”, ka shkruar Rama.

Kurti u prit në Tiranë me nderime shtetërore.

Në takimin e sotëm do të diskutohet edhe për idenë e mini shengenit Ballkanik.

Image

Më Tiranë Kurti do të takohet edhe me Presidentin shqiptar Ilir Meta, e më pas me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Takime do të ketë edhe me opozitën, me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

***

Image

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë, po zhvillohet ceremoniali i mirëseardhjes për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Ceremonia është organizuar nga Qeveria e Shqipërisë.

Gjatë vizitës kryeministri Albin Kurti do të ketë takime të ndara me presidentin, Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministrin, Edi Rama, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Image

Kryeministri Kurti po ashtu gjatë vizitës se sotme do te takohet edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ku edhe do të organizohet ceremonia e dhënies së “Çelësit të Tiranës” për Kryeministrin Kurti.

Image

Kjo është vizita e parë të cilën kryeministri Albin Kurti e zhvillon jashtë Kosovës, që nga marrja e detyrës.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat