Zhvillime të reja për Kosovën, Borrell jep një lajm të rëndësishëm për dialogun Kosovë – Serbi - Bota Sot
Zhvillime të reja për Kosovën, Borrell jep një lajm të rëndësishëm për dialogun Kosovë – Serbi

Aktuale

Zhvillime të reja për Kosovën, Borrell jep një lajm të rëndësishëm për dialogun Kosovë – Serbi

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 21:56
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor

(E plotësuar) - Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka treguar se çfarë do të diskutohet gjatë ditës së nesërme në takim me Liderët e Ballkanit.

Përmes një njoftimi për media, Borrell është pyetur se a do të propozohet nesër një Përfaqësues Special për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, ai është përgjigjur se kjo nuk dihet ende.

“Nesër, ende jo. Kërkon një përgatitje të caktuar. Ne duhet të përgatisim mandatin dhe të gjitha dokumentacionin. Unë mendoj se kjo nuk do të jetë e mundur të bëhet nesër, por kjo mund të bëhet në ndonjë rast tjetër të Këshillit të Punëve të Jashtme”, ka thënë Borrell.

Ndër tjera Borrell është pyetur se a pret që ndonjëri prej vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet anëtar i BE-së, Borrell është përgjigjur shkurtë duke thënë “Shpresoj”.

Ndër Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili është duke marr pjesë në këtë takim, ka njoftuar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, se sonte ka zhvilluar një takim joformal me udhëheqësit e rinj të Bashkimit Evropian.

Thaçi ka shkruar se në këtë takim do të diskutohet për mundësinë e përshpejtimit të zgjedhimit të BE-së.

“Bashkë me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, sapo kemi filluar një takim joformal me udhëheqësit e rinj të Bashkimit Evropian. Në këtë takim do të diskutohet për mundësinë e përshpejtimit të zgjerimit të BE-së, përmes anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi.

Tutje, Thaçi ka thënë se “Në këtë takim do të kërkoj edhe një herë që BE-ja ta plotësojë zotimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Pjesë e këtij takimi janë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Kroacisë Andreja Plenkoviq, vendi i të cilit kryeson Presidencën evropiane, kryetarja e KE-së Ursula Von der leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në darkë punë në Bruksel

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të dielën mbrëma në Bruksel në një darkë pune me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel. Në takim po marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, si kryesues i radhës së BE-së.

Presidenti Michel, tha para takimit se “perspektiva evropiane për këto vende është shumë e rëndësishme dhe do të provojmë të kemi diskutime strategjike”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “Ballkani perëndimor është përparësi për Komisionin Evropian. Mendoj se është në interesin tonë gjeostrategjik ta kemi Ballkanin Perëndimor sa më afër me BE-në”, tha ajo duke nënvizuar se synim është hapja e rrugës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, “mundësisht para takimit të Zagrebit. Po përgatisim pakon e investimeve dhe shpresoj shumë që Këshilli Evropian do të jap dritën jeshile”, tha ajo.

Shefi i politikës së Jashtme, Josep Borrell, tha se “sot është një hap tjetër për ardhmërinë evropiane të vendeve të Ballkanit. Do të flasim edhe nesër për këtë në Këshillin e Ministrave. Po vij nga Munihu ku patëm mundësinë që të takojmë të gjithë shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit”, tha zoti Borrell.

Në takim por marrin pjesë presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryesuesi i presidencës së Bosje Hercegovinës Zhelko Komshiç dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, i cili zëvendësoi presidentin Stevi Pendarovski që e pati të pamundur të marrë pjesë për shkak të zhvillimeve të fundit në Shkup.

Tashmë janë shtuar shpresat për fillimin negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi që të shtunën presidenti francez Emmanue Macron tha gjatë Konferencës së Munihut se “duhet të shohim se çfarë thotë Komisioni, lidhur me përparimet e pritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, për këto çështje. Dhe në funksion të parakushteve që unë kisha parashtruar, nëse rezultatet janë pozitive dhe besimi vendoset, atëherë ne do mund të jemi në gjendje që ta hapim bisedimet”, deklaroi presidenti Macron.

Në mbledhjen e tetorit të Këshillit Evropian, presidenti francez, vuri veton duke lënë pezull shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërsa kërkoi një rishikim të procesit të bisedimeve dhe vetë zgjerimit.

Nga gjashte vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur negociatat kohë më parë dhe llogariten si favorit. Ndërsa e fundit në proceset integruese mbetet Kosova për shkak të mosnjohjes nga pesë vende të BE-së. Qytetarët e Kosovës janë po ashtu të vetmit që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Takimi i sontëm mbahet një ditë para Konferencës së Donatorëve organizuar nga Bashkimi Evropian për të mbështetur Shqipërinë në përballjen me pasojat e tërmetit të nëntori të vitit të kaluar.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, e cilësoi të hënën si ditën “D” duke shfaqur shpresën se “do të gjejmë solidaritet dhe mbështetje të mjaftueshme për të çuar përpara rindërtimin”. /Voa

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat