Reagon ashpër edhe Veseli për deklaratat e deputetes së VV-së, i jep përgjigje Kurtit për në takimin që e ftoi

Aktuale

Reagon ashpër edhe Veseli për deklaratat e deputetes së VV-së, i jep përgjigje Kurtit për në takimin që e ftoi

Nga: D.RR Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 23:02
Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një postim në Facebook i ka reaguar deputetes së VV-së, Fatmire Kollçaku, duke thënë se deputetja Kollçaku, në cilësinë e mendimit të saj politik, ka lirinë të propagandojë çfarë të dojë, sado që ajo çfarë ka bërë nuk ishte e mençur.

“Për këtë lloj mentaliteti, Serbia agresive dhe politika e saj perfide, e përmbledhur në imazhin e kreut të saj institucional, Aleksandar Vucic, është më prioritare sesa sfida që na pret – e ardhmja e Kosovës”, ka shkruar Veseli.

Ai i është përgjigjur në këtë rast edhe kryeministrit Kurti, pasi ky i fundit e ftoi të takohen.

“Para disa ditësh, Albini Kurti është shprehur publikisht se do që të më takojë. Për çështje shtetërore, unë edhe mund ta takoj. Por, nëse vërtet mendon se jam i shantazhuar nga Gjykata Speciale, atëherë Albin Kurti nuk ka nevojë të paktën për mua si një nga themeluesit e UÇK-së”, ka shkruar ndër tjera Veseli.

Postimi i tij i plotë:

Deputetja Kollçaku, në cilësinë e mendimit të saj politik, ka lirinë të propagandojë çfarë të dojë, sado që ajo çfarë ka bërë nuk ishte e mençur.

Nuk bëhet fjalë thjesht për një qëndrim, por për një mentalitet që mendon se përfitimi politik, duke i dëmtuar shqiptarët, jep premisa suksesi në betejën imagjinare politike edhe pas zgjedhjeve.

Për këtë lloj mentaliteti, Serbia agresive dhe politika e saj perfide, e përmbledhur në imazhin e kreut të saj institucional, Aleksandar Vucic, është më prioritare sesa sfida që na pret – e ardhmja e Kosovës.

Nuk ka thirrje taktike për unifikim qëndrimesh pozitë dhe opozitë para Serbisë, vetëm për konsum elektoral të Albin Kurtit dhe damkim me shantazhe.

Kjo nuk shitet.

Para disa ditësh, Albini Kurti është shprehur publikisht se do që të më takojë. Për çështje shtetërore, unë edhe mund ta takoj.

Por, nëse vërtet mendon se jam i shantazhuar nga Gjykata Speciale, atëherë Albin Kurti nuk ka nevojë të paktën për mua si një nga themeluesit e UÇK-së.

Në çdo qëndrim kombëtar që keni proklamuar para fushatës zgjedhore do të jemi me ju. Edhe për flamur kombëtar, edhe për bashkim, edhe për punësim, edhe për konfiskim pasurish për çdo përfitues të paligjshëm.

Por, asnjëherë përkulje para presionit, shantazhit e manipulimit.

Deputeten në fjalë e ka futur në konfrontim publik të panevojshëm Albin Kurti. Si ish Kryetar i Kuvendit, e vlerësoj korrektësinë dhe maturinë e deritashme që ajo ka treguar në qëndrimet e veta politike. Kërkimfalja për gabime nuk është diçka tragjike. Por, edhe vazhdimi i mbajtjes së qëndrimeve të njëjta të saj, nuk ma ndryshon vlerësimin për të.

Por, ka një çështje tjetër më të madhe në këtë temë.

Gjykata Speciale.

Ka kohë që ka filluar, me entuziazëm e me ankth.

Kazani publik po zien sidomos para supozimeve për ngritje të aktakuzave të Gjykatës Speciale.

Nuk është e tepërt të thuhet se, përveç pakënaqësive, janë edhe pritshmëritë që kanë ndërtuar si projeksion me targete të veçanta në këtë luftë politike akterët politikë dhe grupet e interesit.

Stërzgjatja e këtij procesi afërsisht për 10 vjet, që nga inicimi i kësaj Gjykate, ndërkohë që epilogu i saj nuk po duket, qartazi po krijon hapësirë që nga LVV dhe LDK të përkthehet si shantazh për çështje të brendshme politike, sidomos në raport me Dialogun.

Pra, që vonesat e Gjykatës Speciale të lidhen me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe sjelljen e disave prej nesh, varësisht nga ky presion.

Qytetarët le të jenë të vëmendshëm për premtimet që ua dhanë qeveritarët e sotëm, edhe në planin kombëtar, edhe në atë të mirëqenies.

E sa për pjesën e UÇK-së dhe timen si një prej liderëve të saj, që nga dita e parë, ju siguroj se luftëtarët e lirisë asnjëherë nuk lëvizin nga interesi i Kosovës dhe dinë ta mbrojnë mirë atë deri në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat