Kurti nderoi varrin e Ibrahim Rugovës, Molliqaj ka disa fjalë për të

Aktuale

Kurti nderoi varrin e Ibrahim Rugovës, Molliqaj ka disa fjalë për të

Nga: V.R Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 17:25
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar ashpër ndaj vizitës që kryeministri Kurti i ka bërë varrit të presidentit ahistorik [në kuptimin pozitiv të fjalës] të Kosovës, të ndjerit Ibrahim Rugova.

Këtë opinion, z.Molliqaj e ka titulluar “Më i riu në rrugën e konformizmit” duke argumentuar se si z.Kurti tashmë nuk është politikani i dikurshëm që luftonte kundër politikës reale që “mashtrimin e ka parim normal operues … ku shpjegimi i rrethanave bëhet strehë për oportunizmit.”

Në këtë mënyrë z.Molliqaj ka risulmuar ndryshimin e qëndrimeve nga Kurti në ditët dhe javët e fundit, por edhe vizitën e tij te varri i presidentit Rugova.

Më tej, ai ka shtuar se Rugovën Kurti nuk e nderoi më 26 janar, e që ishte përvjetori i vdekjes së tij por më 17 shkurt, në mënyrë që të mos respektohej si personalitet por si projekt politik.

“Janë tashmë shumë indikacione që çojnë në të njejtin drejtim: në intervistën e tij në Rubikon ai po lutej që mos të vlerësohej karshi temave që ishin kauza për 15 vjet, por për anti-korrupsionin; kurse në marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK – në nuk ka bash asgjë që mund të quhet transformuese.” – shkruan ish deputeti i Kuvendit në Legjislaturën e VI të saj.

Më poshtë e keni gjithë statusin e z.Molliqaj në Facebook:

Më i riu në rrugën e konformizmit

Vizita e Albin Kurtit më 17 Shkurt tek varri i Rugovës nuk është e zakonshme. Mbase nuk ka gjë të keqe në vetvete thjesht nderimi i tij. Por, nuk e bëri këtë në përvjetorin e tij të vdekjes. Kështu mund të ishte një nderim i rëndomtë. Ai po i përkulet me 17 Shkurt. Është Ibrahim Rugova si projekt politik.

Janë tashmë shumë indikacione që çojnë në të njejtin drejtim: në intervistën e tij në Rubikon ai po lutej që mos të vlerësohej karshi temave që ishin kauza për 15 vjet, por për antikorrupsionin; kurse në marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK – në nuk ka bash asgjë që mund të quhet transformuese.

Vizita e tij tek Rugova e ka përtërirë dhe vulosur traditën. Shumë figura të rezistencës e kanë bërë para tij. Kështu, varri i Rugovës është bërë monumenti i ”rrugës së re”. Pas këtij gjesti s’kemi pse çuditemi me asgjë. Nuk ka më Republikë të tretë, as Republikë të re.

Pas intervistave të fundit, një shok me tha: ”Albini vetëm tash është bërë politikan”. Nga pikëpamja e sotme unë vlerësoj që gjatë aktivitetit tonë kemi pasur model fatal organizimi. Prirjet komplotiste vinin nga po ky model. Por një gjë e vlerësoj si virtyt që duhet ruajtur me çdo kusht. Kemi punuar gjatë me praktikë e teori për ta luftuar përkufizimin e politikës që ma tha ky shoku im. Për politikën pa përpjekje për të vërtetën; për politikën që mashtrimin e ka parim normal operues; për politikën ”realiste”, atë politikë ku shpjegimi i rrethanave bëhet strehë për oportunizmin; atë politikë që na thotë se njeriu s’është gjë tjetër veç mish dhe asht . Atë politikë që na thotë se nuk ia vlen të jetohet për një Ide të madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat