Vjosa Osmani flet për liberalizimin e vizave

Aktuale

Vjosa Osmani flet për liberalizimin e vizave

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 07:11
Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, ka folur edhe për liberalizmin e vizave.

Osmani para gazetarëve ka thënë se Kosova duhet të jetë e unifikuar në politikën e jashtme, e në veçanti në çështjen e liberalizimit të vizave.

Osmani tha se vendimi për liberalizimin e vizave është politik dhe se kjo gjë është në duart e shteteve të Bashkimit Evropian.

“Liberalizimi ka të bëj me çështjen e unifikimit. Komisioni Evropian ka konstatuar që të gjitha kriteret janë përmbushur nga Kosova, por ky është një vendim politik nga shtete të caktuara që kanë hezitime”, theksoi Osmani, duke shtuar se shtetet e BE-së, kanë marrë vendim duke u bazuar në dezinformatat që i kanë pasur dhe jo në faktet reale.

Sipas Osmanit, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen në maksimum dhe të bashkëpunojnë me vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që janë kundër liberalizimit të vizave, në mënyrë që gjatë kohës sa presidenca udhëhiqet nga Kroacia, çështja e liberalizimit të futet në agjendë.

“Duhet një angazhim shumë konkret dhe i angazhuar i institucioneve dhe shpresoj që gjatë qeverisjes së Kroacisë të kemi një vendimmarrje ose që të hyjë në agjendë…Janë pesë shtete të BE-së që kanë hezitime. Me disa kemi ndërtuar raporte qysh nga mandati i kaluar për të eliminuar këto hezitime, por disa prej shteteve të mëdha duhet t’i bindim që nuk ka asgjë për të hezituar. Por disa shtete të BE-së kanë dërguar një kërkesë në Ministrinë e Integrimeve Evropiane të mandatit të kaluar dhe ne duhet t’i plotësojmë ato kërkesa në mënyrë që në momentin kjo çështje të vendoset në agjendë, ne t’i kemi të plotësuar ato. Nuk do të kisha përmendur datë për liberalizimin e vizave, për shkak të procesit. E tëra çfarë duhet të bëjmë është që t’i përmbushim të gjitha kërkesat dhe për këtë duhet të sigurohemi. Gjithçka që varet nga ne duhet të sigurohemi që e bëjmë mirë dhe më pas varet nga shtetet anëtare të BE-së”, ka deklaruar Osmani.

***

Deklarata pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit (Drejtpërdrejt)

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot mban mbledhjen e radhës, në të cilën janë paraparë tre pika të rendit të ditës. 

Fillimisht është propozimi për formimin e grupeve të miqësisë.

Si pikë e dytë është propozimi i anëtarëve në delegacione për përfaqësim të Kuvendit më organizata ndërkombëtare.

Ndërsa si pikë e tretë do t’i lihet hapësirë shqyrtimit të kërkesave të mundshme.

Kryesia do të mblidhet prej orës 11:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat