Dhjetëra protestues kanë vazhduar të protestojnë edhe sot para hyrjes së objektit të menaxhmentit të Trepçës në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në kwtw ndërmarrje.
Ata përmendën sërish fakte për parregullsitë gjatë procesit të pranimit, ndërsa u shprehën të zhgënjyer me përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, për të cilat thanë se nuk po merren seriozisht me problemin e tyre.
Arsim Musa nga këshilli organizativ protestues, ka bërë të ditur se të gjitha parregullsitë janë verifikuar dhe dërguar tek organet përkatëse.
Musa: Dhjetëra kandidatë janë nga farefisi i anëtarëve të bordit
“Dhjetëra kandidatë që janë nga familjet e ngushta apo farefisi i anëtarëve të bordit, menaxhmentit apo individë të partive politike me përfaqësim në bord, mënyra e poentimit të tyre, kohëzgjatja, intervistimi, të gjitha të gjeturat dhe të lartëcekurat, janë vërtetuar nga regjistrat e kandidatëve që kanë qenë prezentë apo nga verifikimi i tyre për të cilat kemi dëshmi dhe i kemi dërguar tek organet kompetente” , ka thënë Musa.
Ai shtoi se protestat nuk do të ndalen deri në evidentimin e këtyre padrejtësive.
Protesta po zhvillohet e qetë, ndërsa pjesëtarë të policisë janë duke vëzhguar situatën nga afër gjatë gjithë kohës.