Si mund t’ua rrit Kushtetuesja përsëri pagat Kurtit dhe ministrave

Aktuale

Si mund t’ua rrit Kushtetuesja përsëri pagat Kurtit dhe ministrave

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 11:34
Qeveria Kurti

Kryeministri Albin Kurti dhe kabineti i tij ka edhe një mundësi për t’iu rritur pagat. Ligji i pagave, i cili është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, deri në një konstatim të saj, parasheh që kabinetit qeverisës t’i ngritën serish pagat. Vendimi pritet të merret më 30 mars.

Kryeminsitri Kurti ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë së kaluar për pagat, të cilat Ramush Haradinaj i kishte dyfishuar.

Kurti ka rikthyer pagën e tij në 1500, dy vite pasi Haradinaj këtë pagë e kishte rritur në 2950 euro, me anë të një vendimi.

Megjithatë, kabineti qeveritar mund të ketë sërish rritje të pagave pas pak më shumë se një muaji.

Ligji për Pagat e Sektorit Publik është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri më 30 mars, për shkak të ankesave të disa kategorive që i përfshin ky ligj.

Nëse Kushtetuesja vendos që ligji të hyjë në fuqi, Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat sërish do të kenë rritje të pagës.

Sipas Ligjit për Paga, koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1, ndërsa, vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik (i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese)

Kryeministri ka koeficientin 9, që i bie se me ligj të ri do të ketë pagën 2151 euro. Zëvendëskryeministri ka koeficientin 8.5, e pagën, sipas ligjit, i bie ta ketë 2031.5 euro. Tani për tani, zv.kryeministrat paguhen 1,356.30 euro.

Ministrat i bie të marrin 1912 euro pagë mujore, ndërsa paga aktuale e një ministri është 1,270.50 euro. 

Ekonomisti Haki Shatri, i cili ka qenë këshilltar i Kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë se Kurti, kur i uli pagat për kabinetin e tij, e ka ditur se ato do të rriten prapë, posa të marrë vendim Gjykata Kushtetuese.

“Pritet të dalë një vendim prej Gjykatës Kushtetuese për një periudhë të shkurtër. Vendimi [për shfuqizim] është më shumë populist. Për të thënë se Qeveria e re nuk punon për paga, po për popull. Në fakt ata e dinë menjëherë se sa të fuqizohet ligji, pagat kanë me qenë prapë më rritje”, ka thënë Shatri.

Ai e quan shfuqizimin e vendimit për rritje të pagave si populist, pasi sipas Shatrit, Qeverisë së re mund të mos iu bie as një muaj për t’i marrë pagat e zvogëluara.

“Posa të kthehet vendimi prej Gjykatës Kushtetuese, që fillon të implementohet ligji për paga, paga e Kryeministrit, ministrave e stafit, do të jetë e rritur. Praktikisht i bie se nuk do të merret asnjë pagë me këtë zbritjen se si e ka bërë Kryeministri i ri. Është njëfarë mashtrimi optik. Vendim që është marrë për populizem, për të thënë se ne nuk jemi për paga, s’punojmë për paga. Gjithkush e di se secili njëri në jetë ka nevojë për shpenzime për një standard. Askush nuk punon për shpirt, përvec Nënës Terezë që ka punuar për shpirt”

Edhe zëvëendësministrat do të kenë rritje të pagave.

Prej krerëve të shtetit, Presidenti ka koeficientin më të lartë. Megjithatë me ligjin e pagave i bie që Presidenti do t’i zbritet paga nga 2672 euro në 2390 euro.

Ligji për paga është votuar në Kuvendin e Kosovës në shkurt të vitit 2019, ndërsa do të hynte në fuqi nëntë muaj më vonë, në dhjetor të 2019’ës. Për shkak të ankesave të disa kategorive të sektorit publike, që sipas këtij ligji, u zvogëlohen pagat, Kushtetuesja vendosi për pezullim.

Nëse Gjykata konstaton se nuk ka shkelje, ligji hyn në fuqi dhe pagat merren me retroaktivitet. Ata që kanë rritje të pagave, do të kompensohen në paga prej 1 dhjetorit, kur ligji ishte planifikuar të hynte në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat