Cakaj: Shqipëria e gatshme fillojmë punën menjëherë për zhbërjen e kufirit

Aktuale

Cakaj: Shqipëria e gatshme fillojmë punën menjëherë për zhbërjen e kufirit

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 14:36
Hashim Thaçi dhe Gent Cakaj në takimin që e patën sot

Kosova dhe Shqipëria kanë vullnet të plotë për largimin e kufijve mes tyre për t’i dhënë hapësirë qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave. Kaq optimist u shprehën presidenti, Hashim Thaçi dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në takimin që e patën sot.

I pari i shtetit të Kosovës, shprehu fjalët më të mira për diplomatin shqiptar, duke thënë se ai i ka dhënë një dinamik të re afirmimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës kudo në botë.

Krahas kësaj, Thaçi kërkoi që të ketë një hapësirë pa kufij të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave kudo që jetojnë shqiptarët në rajon.

Thaçi: Të kemi një hapësirë pa kufij të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave mes shqiptarëve

“Të kemi një hapësirë kudo që jetojnë shqiptarët në rajonin tonë, njà « hapësirë pa kufij të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në përputhshmëri me standardet euro-atlantike. Kam besim që këtij vizioni do t’i jep një shtytje të madhe në lidershipin e tij edhe ministri Cakaj”, tha ai.

Se kufijtë mes dy shteteve shqiptare duhet të zhbëhen e tha edhe ministri, Cakaj. Ai në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë theksoi se janë të gatshëm menjëherë të fillojnë punën për krijimin e kësaj hapësire të lirë mes dy shteteve. Shtoi se kjo çështje më shumë do të jetë teknike se sa politike.

Cakaj: Ne jemi të gatshëm të fillojmë punën menjëherë për zhbërjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë

“Kosova dhe Shqipëria momentalisht kanë një kufij simbolik dhe realisht nuk duhet të kenë kufij fare. Ne realisht jemi të gatshëm të fillojmë punën menjëherë për zhbërjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për krijimin e një hapësire të lirë të qarkullimit të kapitaleve dhe burimeve njerëzore. Meqenëse në shumë aspekte mund të plotësojmë njëra tjetrën. Në këtë kuptim do të jetë më shumë çështje e koordinimeve të hapave teknik, se sa vendosjes së pikëpyetjeve politike”, tha ai.

Kryediplomati shqiptar edhe në takim me presidentin paraqiti kërkesat e tij për formimin e ambasadave të përbashkëta dhe koordinimin diplomatik mes vendeve.

Ministri Cakaj po qëndron gjatë ditës sotme në Kosovë, fillimisht ka takuar homologun e tij, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufa, më pastaj edhe kryekuvendaren, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat