Limaj: Kurti do t’ia marrë Thaçin PDK-së

Aktuale

Limaj: Kurti do t’ia marrë Thaçin PDK-së

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 22:14
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka vazhduar me akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Ai e ka akuzuar atë për vardisje ndaj presidentit Hashim Thaçi, ndërsa ka kërkuar nga Kurti t’u kërkojë falje të rinjve që i ka nxjerrë në rrugë kundër flamurit “lara-lara” e Pakos së Ahtisaarit.

Limaj, në një intervistë për televizionin publik, ka komentuar edhe vendimet e sotme të Qeverisë Kurti, ku sipas tij, kjo qeveri sot e ka shkelur ligjin, sepse ka larguar njerëz të cilët kanë qenë të zgjedhur përmes konkursit.

Ai ka thotë se qeveria aktuale nuk ka pasur plan të fuzionimit të ministrive, duke shtuar se do të ketë kaos administrativ.

“Ministria e Punës është shpërndarë në disa ministri dhe qytetarët kur të kenë nevoje do të shkojnë në disa zyre dhe nuk mund t’i kryejnë punët e tyre. Kjo çështje do të duhej të rregullohej me ligj. Vendimet janë në kundërshtim me ligjin. Qeveria sot e ka shkelur ligjin”, ka thënë Limaj.

Tutje, ai tha se nuk mund ta paragjykojë qeverisjen e Albin Kurtit, por mund të flasë për kauzat me të cilat ka ardhur Kurti në pushtet, dhe ka pohuar se Kurti duhet të dalë të kërkojë falje për Albinin e mëparshëm.

“Ndryshimin nuk mund të ia mohosh askujt, por duhet me mirëprit. Mirëpo, kur ju bëni një transformim të tillë, së paku duhet t’u kërkoni falje njerëzve që i keni nxjerrë në rrugë për flamurin ‘lara-lara’. Deri vjet të njëjtit deputetë nuk e kanë respektuar himnin dhe flamurin. Ndryshimi do të duhej me ndodhë në opozitë. Është hipokrizi sjellja e tyre. Flamurin dhe shtetin nuk mund ta duash vetëm kur je në pushtet. Albini deri sot ka mohuar çdo gjë që është bërë në këtë vend. Refuzim, asnjë formë të bashkëpunimit. Kjo që po bën Albini sot është vardisje pas Hashimit dhe Kadrisë. Albini ka me ia marrë PDK-së Hashimin. Kurti do t’i shkojë prapa presidentit, sepse kështu është përcaktuar me Kushtetutë. Ramushit i thoshte ‘kryeministër me qira’. Haradinaj s’ka qenë kryeministër me qira. Tash ne mund t’i themi se a je kryeministër me qira i LDK-së, Listës Serbe dhe minoriteteve”, ka theksuar Limaj, dhe ka shtuar se Kurti është votuar vetëm nga një e katërta e qytetarëve të Kosovës.

Ai ka pohuar se kryeministri Kurti deri dje Kadri Veselit kurrë nuk ia ka përmendur emrin, i ka thënë vetëm “kriminel”, ndërsa në ditën e parë të zgjedhjes kryeministër i tha “Zoti Veseli, unë ta zgjati dorën”.

Limaj po ashtu ka deklaruar se ardhja në pushtet e Kurtit është zhvilluar përmes dy kauzave. E para, sipas tij, “ka qenë ajo nacionale, të cilën e ka shfrytëzuar deri në momentin kur e ka parë që nuk i ec më, dhe pastaj ka filluar me atë sociale”.

Për çështjen e reciprocitetit me shtetin e Serbisë, Limaj tha se nuk mund të flasë sepse ende nuk e ka parë qëndrimin kryeministrit.

“Çka është reciprociteti ekonomik, tregtar dhe politik unë e di, por dua të shoh se si e prezanton atë kryeministri. Sepse për taksën një qeveri ka rënë. Haradinaj e ka mbrojtur qëndrimin e tij për taksën”, theksoi kreu i Nismës.

Limaj ka thënë se Kurti është kryeministri i vendit, të cilin nuk do ta quajë kurrë “kryeministër me qira”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat