Po ndodhë, o miqtë e mi: Kurti po e shkarkon bërllokun

Aktuale

Po ndodhë, o miqtë e mi: Kurti po e shkarkon bërllokun

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 20 shkurt 2020 Në ora: 17:02
Albin Kurti

Po ndodh o miqtë e mi të dashur. Po ndodh i shtrenjti e i shenjti ndryshim. Albin Kurti ka filluar të shkarkojë masivisht të gjithë ata që na e pinë gjakun e na hëngrën nervat në përditshmërinë tonë.

Kush na e solli korrupsionin? Jo, korrupsioni nuk ishte në mesin tonë. Korrupsioni nuk ishte pjesë e traditës tonë popullore shqiptare. Korrupsioni nuk shkruhet askund në kanun. Askush nuk na rriti duke na thënë “vjedh”, “bëj dallavere”, e kështu me radhë.

Epo, korrupsionin e shihnim përditë në rrugët tona. Drejtorë bordesh, anëtarë bordesh, njerëz që shtinin në punë njerëz tjerë. Na e rrisnin inatin për fatin tonë të nëpërkëmbur sepse ecnin kryelartë, thua se ata ishin që na çliruan.

Por, mori fund ky tregim. Mori fund sepse Albin Kurtit i erdhi dita. Dhe kjo nuk ishte aspak një ditë e rreme, por një ditë e vërtetë e e bukur për të gjithë ne. Albin Kurti vendosi t’i shkarkonte gjithë këta njerëz që na e pinin gjakun, që na e fëlliqën moralin tonë, që na e gërditën jetën.

Më në fund, pak e nga pak, po na kthehet dinjiteti ynë i harruar. Sepse, ashtu siç nuk mund ta duronim regjimin fashist serb, nuk mund ta duronim as mendjemadhësinë korruptive të këtyre “zallogëve” që na përbuznin.

Tash e tutje, ne jemi padronët e të ardhmes tonë. Na bëri Albin Kurti. Më në fund, ngriti krye dhe triumfoi meritokracia. Nuk ka më punësime me të “njohshëm”. Nuk ka më punësime me rekomandime. Nuk ka më Pronto që shtrihet e kapilarizohet në atë formë që na e prishte jetën ne të tjerëve.

Dikur, realiteti na thoshte për çdo mëngjes: Vidh ose vdis urie. Më s’na thotë ashtu. Tash e tutje, na thotë të përparojmë, të mësojmë më shumë, të jemi të afërt e solidarë me njëri-tjetrin, të pranojmë e ta duam njëri tjetrin. Por edhe veten.

Vendimi për shkarkimet e bordeve të drejtorëve nuk ishte aspak rastësor, nuk ishte aspak i zakontë, aspak teknik, e aspak politik. Ky është një vendim që na e rimëkëmb moralin tonë të rrënuar shoqëror. Ja që, drejtësia vjen. Ja që, shpresa kthehet. Ja që, ndryshimi ndodh, e me të ngjallemi edhe ne, ngjallemi për t’u mbushur me frymë e për ta lulëzuar vendin tonë.

Ky vend nuk u bë për një ditë, e as nuk mund të bëhet për një ditë. Ky vend tashmë të paktën ekziston si vend. Përpara na ishte thjesht një humbëtirë në të cilën i kishin gardhet e tyre padronët e fateve tona. Duhej të cokatnim në dyert e tyre, e të merrnim buzëqeshjet e tyre, e të shkelnim dinjitetin tonë për t’i çelur vetes rrugë.

Ja çka bëri Kurti. Na e kthjelli mendjen dhe na e solli vetëtimshëm drejtësinë. Duhet edhe shumë punë, por nuk mund ta mohojmë që fillimi është i mbarë.

Jepi Albin, jepi e mëshoj edhe peshqve të mëdhenj. Ke bekimin tonë më të lartë. Ke dashurinë tonë më sipërore. Merri edhe këta maniakë luksi e shkarkoji, shkarkoji në vendgrumbullim plehrash sepse aty e kanë vendin.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat