Paralajmërohen masa edhe ndaj kompanive të tjera publike

Aktuale

Paralajmërohen masa edhe ndaj kompanive të tjera publike

Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 12:47
Qeveria e Kosovës

Oda Ekonomike shprehet skeptike për ‘kthjellje’ të ndërmarrjeve publike, ndërsa, Klubi i Prodhuesve të Kosovës deklaron se duhen reforma radikale në aspektin e funksionimit të ndërmarrjeve publike. E derisa përfaqësues të shoqërisë civile, shprehen, se vendimet e fundit të Qeverisë së re për shkarkimin e bordit të Telekomit, janë të ngutshme, pa u formuar ndonjë komision qeveritar ose parlamentar, Qeveria paralajmëron masa edhe ndaj kompanive të tjera publike.

Në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, është bërë shkarkimi i bordit të Telekomit të Kosovës, me arsyetimin se nuk është përmbushur plani i biznesit, janë krijuar shpenzime të tepërta, punësime, gradime pa kriter, etj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se secila qeveri ka ardhur me vullnetin dhe premtimin se do të merret me ndërmarrjet publike, por në fund ka dalë që në shumë rrethana kanë qenë shpenzim shumë i madh i energjisë për secilën qeveri që është marrë me këto ndërmarrje pa një plan. ​

Kreu i OEK thotë po ashtu se qeveria e re duhet të ketë një plan, për këto kompani të cilat mbijetojnë dhe janë bërë barrë për Qeverinë. ​

​Kreu i OEK thotë se Telekomi i Kosovës mbetet një ‘elefant i madh në dhomë’ për qeverinë, sa i përket adresimit të problemeve të mëdha në këtë kompani. ​

Rritja e çmimeve për shërbimet në Telekom, sipas Rukiqit, tentohet në mënyrë artificiale me u rritë të hyrat, por kjo nuk është e qëndrueshme për shkak se nuk mjafton vetëm rritja e çmimeve, nëse nuk ka përmirësim të shërbimeve, rritje të numrit të shërbimeve dhe transformim konform nevojave që kanë konsumatorët.​

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë se duhet reforma radikale në aspektin e funksionimit të ndërmarrjeve publike. ​

Panxha thotë se duhet vullnet politik për vendimmarrje, që të zgjidhen njerëz të duhur në udhëheqjen e këtyre ndërmarrjeve dhe mos të ketë punësime politike, përderisa kërkon që përveç bordit, në Telekom nevojite edhe një menaxhment profesional. ​

Drejtori ekzekutiv në ‘Çohu’, Arton Demhasaj thotë se të gjitha bordet kanë qenë me lidhje politike, edhe shpeshherë joprofesioniste. ​

Demhasaj thotë se këto shkarkime në Telekom, nuk është mirë të shihen si shkarkime për inate politike, por të ketë një bazë të fort ligjore dhe të ketë argumente dhe arsye të forta, përse po ndodhë kjo. ​

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka thënë se do të ndërmarrin masa edhe ndaj kompanive të tjera publike, pasi që janë duke analizuar raportet e Zyrës së Auditorit dhe sugjerime të tjera. ​

Lëvizja Vetëvendosje në programin e saj ekonomik në zgjedhjet e tetorit, ka paraparë marrjen nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së “Trepçës”, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. ​

Po ashtu, Vetëvendosje ka paraparë që Agjencia Kosovare e Privatizimit të shuhet dhe asetet e saj t’i kalojnë Fondit Sovran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat