Ky person kishte paralajmëruar për sulme ndaj zv.kryeministrit Avdullah Hoti

Aktuale

Ky person kishte paralajmëruar për sulme ndaj zv.kryeministrit Avdullah Hoti

Nga: Bota sot Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 20:42
Pamje nga sulmi ndaj Avdullah Hotit

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, mëngjesin e sotëm është sulmuar nga një person tek objekti i Qeverisë.

Ai u sulmua nga një person, i cili e gjuajti me vezë duke i thënë “Taksën s’bon me e hek”.

Në një postim në Facebook zëvendëskryeministri Hoti, ka thënë se porositësit e veprimit të sotëm po tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar.

Por, sipas tij, të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë.

“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë. Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në”, ka deklaruar Hoti.

Për një sulm të mundshëm ndaj Hotit, kishte paralajmëruar eksperti i fushës së sigurisë Hafir Hoxha, përcjell Bota sot.

Hoxha, kishte reaguar ashpër pas publikimit të lajmit në media se zëvendëskryeministri Hoti, shkon në punë pa mbrojtje institucionale dhe krejtësisht i vetëm.

Image
Avdullah Hoti pa mbrojtje dhe në këmbë

Ai kishte kritikuar mediat për raportimin, pasi që sipas tij, me apo pa qëllim shkelet e drejta e tyre personale dhe furnizohet, e pajiset armiku eventual.

Sipas tij, publikimi i këtyre informatave paraqet rrezik permanent për liderët e Kosovës.

“Më këto përcjellje, fotografime dhe publikime të aktiviteteve dhe lëvizjeve të liderëve politik jashtë objekteve zyrtare me apo pa qëllim shkelet e drejta e tyre personale dhe furnizohet, pajiset, joshet armiku eventual ndaj tyre”, kishte shkruar Hoxha në Facebook.

Sulmin ndaj Hotit, e kanë dënuar presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti si dhe deputetë e bashkëpartiakë të tij.

Policia dhe Prokuroria kanë deklaruar se janë në kërkim të personit që ka sulmuar zëvendësministrin./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat