Totaj: Kurti ka filluar spastrimin me agjendë politike

Aktuale

Totaj: Kurti ka filluar spastrimin me agjendë politike

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 13:12
Shaqir Totaj

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Qeveria Kurti që të mbajë duart larg nga institucionet e pavarura. Meqë sipas tyre në mungesë të një vizioni të qartë, kryeministri Albin Kurti po ndërmerr veprime që sulmojnë në thelb administratën e pavarur të shtetit.

Kështu janë shprehur sot në një konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj dhe Zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyçi, të cilët kanë kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti.

Sipas këtij të fundit edhe pas pesë muajve nga zgjedhjet e 6 tetorit, dy partitë që janë në koalicion nuk kanë ofruar një program qeverisës.

“Ne kemi një qeveri pa një orientim të qartë, e cila veprimet e saj i bazon kryesisht në populizëm, duke imponuar një mentalitet improvizues. Pa një plan të qartë dhe pa propozime konkrete deri më tani për buxhet e plan qeverisës, Qeveria e Kosovës ka reduktuar rolin e saj në vendime ad-hoc dhe populiste. Qeveria Kurti përpos mungesës së programit qeverisës, ka mungesë edhe të kohezionit të brendshëm me partinë e koalicionit. Si e tillë kjo qeveri flet në më shumë se dy gjuhë, dhe qëndrime, gjë që thellon edhe më shumë paqartësitë në proceset e brendshme dhe të jashtme në të cilat po kalon Republika e Kosovës. Mos koordinimi i LVV-së me LDK-në krijon  paqartësi tek qytetarët e vendit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Bytyçi.

E, nënkryetari i kësaj partie, Shaqir Totaj tha se në mungesë të vizionit të qartë të Albin Kurtit ai ka ndërmarrë veprime që sipas tij sulmojnë në thelb administratën e pavarur të shtetit.

“Për Partinë Demokratike janë të kuptueshme dhe të pranueshme veprimet ligjore e që kanë për qëllim mbrojtjen e institucionit. Mirëpo, është më se e qartë që kjo qeveri nën petkun kinse të ligjshmërisë ka filluar një spastrim me agjendë politike brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Shembull është rasti i drejtorit të doganave, që kishte ardhur në këtë pozitë pas një konkursi transparent dhe të mbikëqyrur nga Ambasada britanike, madje në kohën sa në krye të Ministrisë së Financave ishte LDK-ja. Veprimi i z. Kurti ka qenë i paligjshëm dhe i dëmshëm për doganën. Dhe lënie e këtij institucioni pa ushtrues detyre për më shumë se 12 ditë, e ka vënë në rrezik shtetin e Kosovës, nga e cila sigurohet pjesë më e madhe e buxhetit e shtetit të Kosovës ”, tha nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj.

 

Ndër të tjera, Totaj ka ftuar qeverinë aktuale që të mbajë larg duart nga institucionet e pavarura.

“Ne ftojmë këtë qeveri që t’i mbajë duart larg nga institucionet e pavarura dhe individë të cilët deri më tani janë shquar për sukses dhe ku shteti i Kosovës ka investuar me vite në ta. Dogana e Kosovës ka pasur performancë shumë të mirë, dhe në mënyrë permanente ka lehtësuar shkëmbimin tregtar dhe të hyrave. Dhe ka luftuar kontrabandën dhe evazionin fiskal”, ka shtuar Totaj.

Ai ngriti shqetësimin se kryeministri i ri u ka dhënë direktiva ministrave në kundërshtim me ligjin që të kujdesen për proceset e përzgjedhjes së kandidatëve në shërbimin civil, përderisa kjo çështje është e rregulluar me ligj.

“Këtë situatë e rëndojnë më shumë deklaratat e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje që publikisht kanë ftuar për të ndërhyrë në institucione të pavarura duke kërkuar me emra të përveçëm shkarkime e linçime. Madje në institucionet më të besueshme të vendit siç është Policia e ndoshta nesër edhe FSK-ja. Deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba ka bërë ftesë publike që të largohet drejtoresha e inspektoratit policor. Përderisa Fitore Pacolli po ashtu kishte kërkuar shkarkimin e ambasadores Vlora Çitaku”, ka deklaruar Totaj.

Sipas nënkryetarit të PDK-së, për 20 vjet qeverisje në Kosovë nuk ka pasur një praktikë të tillë të ndërhyrjes në administratën publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat