Haxhiu: Vezët në Kuvend i solli Kurti

Aktuale

Haxhiu: Vezët në Kuvend i solli Kurti

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 00:13
Teuta Haxhiu

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka thënë se vezët në Kuvend i kishte përdorur i pari kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.

Në intervistën në “Interaktiv” ajo është pyetur nëse njerëzit e AAK-së e kishin gjuajtur me vezë zëvendëskryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.

“Zoti Kurti ishte ai, si lider i Vetëvendosjes, që e ka gjuajtur me vezë zotin Mustafa dhe jo vetëm një herë. Kur përmenden vezët, ato i sollën Vetëvendosja në Kuvend dhe në këtë rast nuk mund të themi tash, aq më teper kur po ka reagime prej atyre që ka gjuajtur vezë gjithë kohën dhe që tani mendojnë që tani është e pamoralshme joetike”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se vezët po përdoren për ta larguar vëmendjen nga temat “me interes”.

“Kjo temë konsideroj se nuk është temë për të mos u diskutuar. Sinqerisht, nuk e di se kush e ka gjuajtur. Por, është diçka që ndoshta e ka në interes, konsideroj në këtë rast, qeveria, për ta tërhequr vëmendjen nga temat që janë me interes, në këtë rast nga ato që po proklamohen nga qeveria Kurti për ta hequr taksën”, ka shtuar ajo.

Haxhiu gjatë intervistës është përballur me pyetjet rreth insistimit të partisë së saj për mosheqjen e taksës ndaj ndaj Serbisë. Ajo ka folur për tryezën e organizuar të hënën, në Kuvend, tryezë kjo e organizuar nga AAK-ja kundër heqjes së taksës.

“Konsideroj që kjo sot kjo tryezë ka treguar arsyen pse duhet mbajtur taksën dhe nuk është interes i vetëm një subjekti politik. Gjatë gjithë kohës, u përmend që taksa është një aset kombëtar dhe duhet të mbetet dhe njëkohësisht duhet të tregohen arsyet për duhet të mbetet. U përmend se koha prej se është vendosur taksa kemi rritje të numrit të të punësuarve”, ka thënë ajo.

Haxhiaj ka mohuar se ka rënë përkrahja e bizneseve që duan ta mbajnë taksën, nga 90 për qind, në 75 për qind.

“Sipas fakteve, mbi 60 për qind janë për ta mbajtur taksën, ngase 50 për qind dhe disa që janë neutralë konsiderohet nuk janë kundër”, ka thënë ajo.

“Megjithatë, zoti Shahini dhe tjerët treguan se sado që ka pasur interesim më herët për të konsumuar produkte vendore, është pikërisht koha e vendosjes së taksës që ka pasur vetëdijësim të popullatës, por në të njëjtën kohë e kemi një fuqi politike karshi Serbisë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo e ka quajtur taksën “monedhë ari” karshi Serbisë.

“Interesi me u heq taksa është vetëm i Serbisë”, ka thënë ajo, duke shtuar se në këtë mes AAK gëzon përkrahjen e të gjitha partive opozitare.

“Nuk jemi të vetëm, jemi tri subjekte opozitare bashkë”, ka thënë ajo.

Duke folur për kundërshtimin që AAK-ja sa ishte në opozitë me VV-në dhe veprimet e ndërmarra, Haxhiu tha se partia që ajo përfaqëson nuk do t’i ndërmarër veprimet që i ka ndërmarrë VV-ja. 

“Diçka që ka ndodhur në kohën kur kemi qenë në opozitë, Aleanca ka dalluar prej VV-së. Ne s’do të jemi asnjëherë për të sulmuar individë që t’i lëndojmë apo t’i sulmojmë edhe institucionet e Kuvendit. Secili rast që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës dallojnë skajshmërisht prej VV-së. Ne s’e kemi hedhur kurrë gazin lotsjellës për të lënduar askënd, përkundër që ka ndodhur me VV-në që i kanë lënduar policët. Ne s’do t’i gjuajmë kurrë institucionet”, tha Haxhiu.

Ajo tha se veprimet që i kanë ndërmarrë në të kaluarën nuk i bëjnë të ndihen mirë dhe tha se nuk dëshiron që të ndodhin sërish.

“Uroj që çështjen që ka mbetur ende e padefinuar ta jetësojë zoti Kurti sepse brenda radhëve të tij e ka deputetin më të zëshëm, zotin Bulliqi, i cili konsideroj se do ta çojë përpara çështjen ende të papërfunduar”, tha ajo, duke iu referuar demarkacionit me Malin e Zi.

Deputetja e AAK-së tha se Haradinaj nuk ka bërë thirrje që qytetarët të dalin e të gjuajnë me vezë pushtetin. Megjithatë, tha se secili qytetar ka të drejtë të dalë e ta ngre zërin kundër qeverisë.

“Uroj të mos ta detyrojnë t’i bëjmë veprimet që ata i kanë mbjellë. Ne do të bëjmë çdo veprim, por jo ekstrem në kuptimin për të thyer, por do ta kundërshtojmë në forma demokratike një vendim që është në dëm të qytetarëve”, u shpreh deputetja e AAK-së.

Teuta Haxhiu tha se e dënon dhunën, duke iu referuar deklarimeve të ambasadorit amerikan Kosnett se edhe hedhja e vezëve është dhunë, por shtoi se “pa e lënduar dikë, nuk mund të themi që është dhunë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat