Detaje për 3 personat që po trajtohen në QKUK me dyshimet për koronavirus, njëri nga ta është nga Kina

Aktuale

Detaje për 3 personat që po trajtohen në QKUK me dyshimet për koronavirus, njëri nga ta është nga Kina

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 10:22
Ilustrim

(E plotësuar) - Në Klinikën Infektive të QKUK-së është shtrirë një person me origjinë nga Kina, i cili po dyshohet se është prekur nga koronavirusi Covid-19. Sipas mjekëve, pacienti nuk ka simptoma të theksuara të sëmundjes që ka origjinën nga vendi i tij Kina, por pas dyshimeve dhe shqetësimeve që ka pasur është paraqitur në Klinikën Infektive. Ndërkohë edhe dy persona të tjerë janë të shtrirë në Infektiven e QKUK-së me dyshimet për koronë.

Për lajmin janë deklaruar edhe nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës. Ata kanë thënë se tashmë tre persona janë në monitorim dhe të njëjtëve u janë marrë mostrat për analiza.

Rezultatet pritet të dalin së shpejti.

“Një shtetas kinez 28-vjeçar, një femër 27-vjeçare studente në afërsi të Romës në Piaqenza dhe një burrë 39-vjeçar i punësuar në Milano, u janë marr mostrat dhe pritet rezultati i analizave”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Dje gjatë ditës u raportuan tri raste të dyshuara me koronavirus, por më pas rezultatet e të tria rasteve dolën negative.

***

Në Klinikën Infektive në QKUK gjatë ditës së djeshme janë paraqitur tre persona të cilët kanë pasur simptoma të ngjashme me virusin kinez koronavirus.

Bëhej fjalë për një shtetas jokosovar, 69 vjeç, i cili ka qëndruar në Itali si dhe për dy shtetas të tjerë kosovarë, njëri 25 vjeç e tjetri 23, të cilët kanë ardhur dje nga Italia. Të tria këto raste rezultuan negative me këtë virus.

Mirëpo, përhapja e shpejtë e tij tashmë ka shkaktuar panik te qytetarët. Ata nuk po e fshehin frikën nga përhapja e koronavirusit të ri edhe në Kosovë, pasi që i njëjti tashmë është konfirmuar se ka prekur njerëz në vende të ndryshme botërore.

Shqetësimet janë rritur sidomos ditët e fundit, pas raportimit të rasteve në Itali.

Mirëpo, zyrtarët nga institucionet shëndetësore në vend shprehen të bindur se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për t’i dalë në ballë virusit kinez, koronavirus. Megjithatë ata nuk e mënjanojnë mundësinë që ky virus së shpejti të vijë në Kosovë.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, tha se edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinë, “Adem Jashari”, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të kontrolluar qytetarët që vijnë nga jashtë. Ai tha se në këtë aeroport ka staf shëndetësor.

“Plani strategjik është aprovuar javën e kaluar dhe qysh sot kemi filluar me takime, edhe natyrisht me veprimet të cilat ndërlidhen me ministritë e tjera. Jemi duke punuar që të ndërmerren të gjitha masat”, u shpreh ministri Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat