Deputeti i VV-së: Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK-së

Aktuale

Deputeti i VV-së: Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK-së

Nga: N. H Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 17:37
Mefail Bajqinovci

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, përmes një shkrimi në Facebok ka bërë një postim lidhur me testin e mbajtur në policinë e Kosovës, në fillim të këtij muaji për gradën togerë.

Ai lidhur me këtë thotë se testi ishte shpërndarë paraprakisht, dhe kjo sipas tij, gjithë procesin e kthen në një farsë sikurse çdo kund tjetër në institucione që është vepruar me konkurset.

Deputeti i pozitës, thekson se Policia e Kosovës është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK-së.

Ja shkrimi:

Në policinë e Kosovës, në fillim të ketij muaji, është mbajtur testi për gradën togerë.

Mbi 700 zyrtarë të gradave më të ulta që i plotësonin kriteret formale, i ishin nënshtruar testimit. Megjithatë, testi ishte shpërndarë paraprakisht gjithmonë flas sipas mediave me qëllim që të kurdisej rezultati i atij testimi që gjithë procesin e kthen në një farsë sikurse çdo kund tjetër në institucione që është vepruar me konkurset.

Ka kohë, afër 10 vite, kur Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK'së. Me gjithë bazat e mira që ishin vendosur në fillimet e saj, përfshirë edhe rezultatet, në Policinë tonë, këto 10 vite janë zhbërë rregullat e procedurat e gradimeve e avancimeve mbi baze meritore e profesionale për t'u zëvendësuar me kritere politike, parapolitike e nepotike.

Si rezultat i këtij 10 vjeçari, shumë profesionistë meritor janë dekurajuar, defaktorizuar e parandaluar për t'u avancuar sipas kapacitetit të tyre profesional e moral.

Mbi të gjitha, shteti dhe qytetarët janë privuar nga mundësia për të pasur një polici akoma më të përgatitur, më profesinale e më efikase në luftimin e të gjitha llojeve të krimit, garantimin e sigurisë, rendit dhe qetësisë për qytetarët.

Qeveria duhet të analizojë mirë gjendjen aktuale në polici dhe të marrë vendimet e duhura. Në polici s'kanë vend shkelësit e ligjeve dhe procedurave apo njerez qe e pengojne meritokracine.
Ky proces i gradimit duhet të stopohet pas publikimit në media për shpërndarjen e testit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat