Sekretari i Shtetit te Iowas flet për bashkëpunimin në biznes dhe në bujqësi

Aktuale

Sekretari i Shtetit te Iowas flet për bashkëpunimin në biznes dhe në bujqësi

Më: 29 shkurt 2020 Në ora: 12:57
Delegacioni i kryetarëve të komunave të Kosovës

Delegacioni i kryetarëve të komunave të Kosovës i cili po qëndron në shtetin amerikan të Iowas, nën organizimin e Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Qendër dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, u prit në takim edhe nga sekretari i shtetit, Paul Pate.

Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm takimin me delegacionin nga Kosova, i cili përfaqësohet me kryetarë nga komunat e etnive të ndryshme të Kosovës, drejtori i Odës Amerikane si dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Qendër.

“Biseduam për mundësitë e biznesit dhe të bujqësisë ndërmjet dy shteteve tona, si dhe për shkëmbimin e studentëve,” tha Pate.

Në takimin në të cilin morri pjesë edhe Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, kryetarët e komunave të Kosovës e njoftuan Sekretarin e Shtetit te Iowas për progresin e arritur në Kosovë, si dhe për potencialet ekonomike që ofrohen për bizneset amerikane.

Delegacioni kosovar përbëhet nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, kryetari i Komunës së Ranillugut Vladica Aritonovic, kryetari i Komunës së Mamushës Abdulhadi Krasnic, kryetari i Komunës së Parteshit Dragan Petkovic, dy drejtorë komunalë nga Komuna e Graçanicës Milos Dimitrijevic dhe Dejan Jovanovic, si dhe Blerim Hasani, përfaqësues i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Kryetarët e komunave të Kosovës u takuan edhe me ligjvënësin e Shtetit te Iowas Zach Nunn, nga i cili morën mirënjohje për fuqizimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Iowas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat