Kompania e Pacollit ka paditur Kosovën në Arbitrazh, kërkon 6 milionë euro që ai thotë se iu rrëmbyen

Aktuale

Kompania e Pacollit ka paditur Kosovën në Arbitrazh, kërkon 6 milionë euro që ai thotë se iu rrëmbyen

Më: 7 mars 2020 Në ora: 15:48
Behgjet Pacolli

Kosova rrezikon të humbasë miliona euro në rastet e arbitrazheve ndërkombëtare. Republika e Kosovës aktualisht është palë e paditur në katër raste të arbitrazhit në fushën e investimeve.

Në mesin e kompanive që kanë dorëzuar padi është edhe kompania e ish-Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.

“MABCO Constructions”, e ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me rastin e Hotel Grandit, të cilin Pacolli e kishte blerë, por që më pas i ishte anuluar ky privatizim.

Ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka reaguar duke thënë se ai personalisht nuk ka kërkuar që shteti i Kosovës t’t paguajë diçka.

Pacolli ka shkruar se kompania e tij kërkon vetëm kthimin e mjeteve të veta.

“Në median kosovare lexova se Pacolli në arbitrazh kërkon miliona euro në Kosovë. Kjo nuk është krejtësisht ashtu dhe duhet të qartësohet. Mabetexi kërkon vetëm kthimin e mjeteve të veta”, ka shkruar ai në Facebook.

Deputeti i AKR-së ka thënë po ashtu se në arbitrazh kompania e tij kërkon kthimin e 6 milionë eurove që ia kanë rrëmbyer grupet mafioze të Kosovës.

“Në arbitrazh, Mabetex në Lugano kërkon vetëm kthimin e 6 milion Eurove që i’u janë rrëmbyer padrejtësisht nga grupet mafioze të Kosovës, grupe këto që kishin depërtuar në institucionet e Kosovës. Sidoqoftë, nuk bëhet fjalë për paratë e Kosovës por për paratë e veta, të kompanisë që grupet mafioze në Kosovë i kanë rrëmbyer padrejtësisht”, ka shkruar Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat