​Dy raste me koronavirus, KQZ nuk e sheh të arsyeshme të anulojë zgjedhjet në Podujevë

Aktuale

​Dy raste me koronavirus, KQZ nuk e sheh të arsyeshme të anulojë zgjedhjet në Podujevë

Më: 14 mars 2020 Në ora: 10:42

(E plotësuar) - Dy persona në Kosovë janë identifikuar me koronavirus, por pavarësisht kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e sheh të arsyeshme të anulojë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës. Ky institucion thirret në rekomandimet që i kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, deklaroi se si institucion nuk ndjejnë përgjegjësi nëse do të ketë shtim të numrit të rasteve të prekura me koronavirus pas ditës së nesërmve, pasi sipas saj, janë duke zbatuar rekomandimet e MSh-së dhe të IKShPK-së.

Ajo deklaroi se meqenëse nuk ka ndryshim të rekomandimeve që kanë marrë nga MSh dhe nga IKShPK, do të vazhdojnë me planin operacional për të zgjedhur të parin e Podujevës.

Daka: Nuk është ngritur ndonjë çështje tjetër ne vazhdojmë sipas planit operacional

“Pas situatës e cila është krijuar me rastin e konfirmimit të dy rasteve të koronavirusit unë në emër të KQZ-së kam komunikuar me të gjitha institucionet relevante, pra edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike edhe me zyrën e presidentit edhe me përfaqësues të Qeverisë. Meqenëse nga IKShPK nuk ka ndryshim të rekomandimeve të cilat na janë dërguar edhe ditë më parë ne vazhdojmë sipas planit operacional. Pra, janë ngritur çështje gjatë ditës së djeshme se a do të ketë anulim apo shtyrje të zgjedhjeve të cilat do të mbahen ditën e nesërme, ne meqenëse si institucion jemi kompetent që t’i organizojmë zgjedhjet kemi kontaktuar me të gjithë ata të cilët janë relevantë sa i përket çështjeve shëndetësore me rastin e situatës së krijuar dhe meqenëse rekomandimet të cilat i kemi marrë nuk janë ndryshuar, pra nuk ka ndonjë ndryshim, nuk është ngritur ndonjë çështje tjetër ne vazhdojmë sipas planit operacional”, tha ajo.

E pyetur se si KQZ a do të ndjejnë përgjegjësi nëse do të ketë shtim të numrit të personave me koronavirus, pasi që do të ketë grumbullim të njerëzve, Dala deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me përgjegjësi, po me rekomandimet që kanë marrë nga institucionet shëndetësore.

Daka: Nuk ka të bëjë me përgjegjësi, po me rekomandime

“KQZ më së pari nuk është institucion shëndetësor dhe ne nuk jemi kompetent që të marrim vendime të tilla. Ne mundemi me u mbështet në rekomandime të cilat na i ka dhënë MSh dhe IKShPK dhe këtu nuk ka të bëjë me përgjegjësi, po me rekomandime, është përgjegjësi shtetërore që të organizohen zgjedhjet dhe ne do të vazhdojmë me organizim deri në momentin kur të kemi ndonjë rekomandim tjetër”, tha ajo.

Pavarësisht kësaj, e p ara e KQZ-së Valdete Daka, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos krijojë tollovi nëpër qendrat e votimit.

Daka: Qytetarët vetëm i inkurajoj që të mos krijojnë tollovi

“I lus të gjithë ata që nesër do të jenë në qendrat e votimit t’i përmbahen vetëm udhëzimeve tona, ne i kemi marrë të gjitha masat parandaluese dhe nesër në çdo vendvotim do të jenë të gjitha ato të cilat është e nevojshme sipas rekomandimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Qytetarët vetëm i inkurajoj që të mos krijojnë tollovi dhe t’i përmbahen të gjitha udhëzimeve të cilat i ka lëshuar qeveria, por edhe këto të cilat ne do t’i udhëzojmë”, tha Daka.

Kryeshefi sekretariatit të KQZ-së Yll Buleshkaj, deklaroi se janë duke zbatuar në përpikëri planin operacional që është aprovuar nga KQZ.

Ai bëri të ditë se kanë mbërritur fletëvotimet në depon në Podujev ë, ku ato do të shpërndahen nesër në mëngjes. Po ashtu, ai tha se kanë arritur dezinfektuesit dhe të gjitha gjërat e nevojshme pas situatës së krijuar nga koronavirusi.

Zgjedhjet për kryetar të Podujevës do të mbahen ditën e nesërme, kjo Komunë ka shkuar në zgjedhje pas zgjedhjes së kryetarit Agim Veliu ministër në qeverinë e Kosovës.

Daka: S’ka rekomandim tjetër nga IKSHP, zgjedhjet në Podujevë mbahen nesër

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, në mbledhjen e mbajtur sot ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë rekomandim tjetër nga Institucionet e Shëndetësisë dhe si rezultat zgjedhjet do të mbahen nesër në Podujevë.

Ndërkohë është njoftuar se tashmë edhe fletëvotimet janë gati. Nga KQZ bëjnë thirrje për respektimin e rregullave dhe udhëzimeve të dhëna gjatë procesit të votimit të dielën.

Daka ka thënë se për çdo ndryshim tjetër do të jepen njoftime me kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat