​Edhe një rast me koronavirus, detaje për gjendjen e të tre të prekurve

Aktuale

​Edhe një rast me koronavirus, detaje për gjendjen e të tre të prekurve

Më: 14 mars 2020 Në ora: 11:47

(E plotësuar) - Ka shkuar në tre numri i të prekurve me koronavirus, ku rasti i tretë është një person 39 vjeçar, i afërm i 77 vjeçarit nga Stublla e Vitisë. Gjendja shëndetësore e të tre të prekurve është stabile dhe janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka thënë se personi i tretë është i afërm i 77 vjeçarit nga Vitia që është diagnostikuar dje me koronavirus.

Vitia u ka bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë në përpikëri të gjitha rekomandimet që kanë dal nga institucionet shëndetësore për parandalimin e këtij virusi.

Vitia: Bëhet fjalë për një prej të afërmëve të pacientit nga Stublla, nga Vitia

“Sot në këtë konferencë me keqardhje po më duhet t’iu njoftoj edhe për një rast të ri të rezultuar pozitiv me koronavirus dhe bëhet fjalë për një prej të afërmë ve të pacientit nga Stublla, nga Vitia, që u diagnostikua dje me COVID 19. Në anën tjetër kjo flet edhe për efikasitetin e masave që janë ndërmarrë, por mbi të gjitha edhe punën e madhe që e ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për gjurmimin dhe monitorimin e të gjitha rasteve potencialisht të dyshuar, sidomos për personat që kanë ardhur nga Italia. Të dashur qytetar, ju lutem që të zbatoni me përpikëri të gjitha rekomandimet që dalin nga institucionet tona për të mbrojtur shëndetin tuaj”, tha ministri Vitia.

Image

Gjendja shëndetësore e të tre personave sipas drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës Naser Ramadani, është stabile dhe se janë nën përkujdesje të infektologëve të Klinikës Infektive.

Ramadani: Të tre personat në Klinikën Infektive të QKUK-së janë në gjendje stabile

“E dini se është një person 77 vjeçar, një person tjetër 20 vjeçar dhe sot personi tjetër 39 vjeçar. Të tre personat në Klinikën Infektive të QKUK-së janë në gjendje stabile, nën përkujdesjen shumë të mirë të shkëlqyeshme mund të them të infektologëve të Klinikës Infektive. Andaj, unë ju kisha lut pa panik sepse personat janë të izoluar, kontaktet janë identifikuar, ekipet po punojnë në vazhdimësi pa ndërpre, kontaktet janë hulumtuar prej dje prej konfirmimit të dy rasteve të para në të gjitha vatrat, gjegjësisht dy vatrat në Viti dhe në Klinë. Andaj nuk ka vend këtu për brengosje, gjithçka është nën kontroll, jashtë kontrollit ka dal paniku, që iu lutem ta sillni ju në kontroll me media dhe jashtë kontrollit mund të dalin raste të cilat nuk i përmbahen masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë strikte dhe masa të sigurta se nuk do të përhapet sëmundja”, tha ai.

Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, A rben Vitia, ka bërë të ditur se janë gjurmuar të gjithë personat që kanë pasur kontakt me personat e prekur me koronavirus dhe u janë bërë testimet.

Vitia: Të gjithë personat që kanë qenë në kontakt të afërt janë testuar

“Të gjithë personat të cilët janë gjurmuar si në rastin e Vitisë ashtu edhe në rastin e Klinës janë gjurmuar. Të gjithë personat që kanë qenë në kontakt të afërt janë testuar dhe njëri nga ata persona mbrëmë ka dal pozitiv. Disa persona të tjerë kanë dal negativ, disa persona të tjerë janë në proces të punës. Nuk mund ta konfirmoj nëse ka punuar në një organizatë të tillë apo jo, mirëpo janë gjurmuar të gjitha. A mund të gjurmohet e gjithë situata në kuptimin më kanë pasur kontakt këta persona të infektuar, fatkeqësisht siç kanë treguar rastet edhe në shtetet tjera është thuajse e pamundur. Ne jemi fokusuar tek rastet që ka në pasur kontaktin më të afërt me personat e infektuar”, tha ai.

Drejtori i IKShKP-së Naser Ramadani, ka bërë të ditur se dje janë testuar 45 raste, ndërsa në total, ai tha se kanë testuar 140 raste, prej të cilave tre kanë rezultuar pozitive.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të dyshimta të koronavirusit, derisa ka porositur që të telefonojnë në numrat që janë dhënë nga MSh dhe se do të marrin përgjigje.

Ramadani: Qytetarët të kenë kujdes mos të vijnë të paraqiten në KI nëse nuk kanë shenja të dyshimta

“Qytetarët të kenë kujdes mos të vijnë të paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të dyshimta në koronavirus tashmë të shpërndara dhe pothuajse e tërë popullata është e vetëdijshme. Temperaturë mbi 38 gradë celsius, kollitje të thatë, dhimbje fyti dhe vështirësi në frymëmarrje, nuk duhet të paraqiten pa këto shenja në Klinikën Infektive. Edhe nëse i kanë këto shenja klinike për dyshim për koronavirus tashmë MSh ka siguruar 5 telefona dhe do të sigurojë edhe 5 tjera, të cilat janë të vendosura në Institutin Kombëtar dhe prej dje mbi 500 thirrje janë përgjigjur ekipet e Institutit Kombëtar dhe kanë rekomanduar qytetarët se cka duhet dhe si duhet të veprojnë”, tha ai.

I pari i IKShPK-së u ka bërë thirrje të gjithë familjarëve të të prekurve që të qëndrojnë në vetkarantinë, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai tha se vetkarantina është terapia më efikase në luftën kundër COVID 19.

Si sukses të IKShPK-së, Ramadani e ka quajtur daljen e analizave për të gjithë të dyshuarit brenda 4 orëve, për çka tha se me këtë rezultat hallkat e infeksionit nuk do të mund të përhapin infeksionin në ma së.

Sa i përket mjekësve dhe infermierëve që janë në karantinë në Komunën e Vitisë, e të cilët janë ankuar se nuk u janë bërë analizat, Ramadani ka thënë se nëse u bëhen tani analizat të gjithë do të dalin negativ dhe se për rezultate të sakta duhet të presin 14 ditë.

Madje, Ramadani ata që kanë kërkuar t’iu bëhen analizat qysh tani ka thënë se nuk e njohin mjekësinë.

Ramadani: Këta mjekë do të testohen kur kanë shfaqje klinike

“Këta mjekë do të testohen kur kanë shfaqje klinike, këta janë në 24 orëshin e parë që nuk ka shancë të testohen, të gjithë do të dalin po iu garantoj negativ. Prandaj, çka ndodh, ne kemi testuar kot, ne kemi testuar infektologen e cila ka pasur më së shumti panik dje dhe ka dal negativ, ne e kemi ditur, por kemi shëruar panikën... Me i vizitua njerëzit në këtë kohë krize kur janë të ngarkuar, kur janë të hipër ngarkuar me punë dhe ne nuk kemi kohë për vizita dhe për të pame në këtë kohë, bile edhe të pamet i kemi ndaluar, rreptësishtë i kemi ndaluar dhe nuk guxojmë të tubohemi. Ata janë vizituar nga personat kompetent të IKShPK-së dhe mjafton në këtë fazë, derisa të dalin nga karantina unë iu kisha lutur të mos i vizitoj kurrkush”, tha ai.

Kosova rastet e para me koronavirus i ka konfirmuar ditën e djeshme, ndërsa Qeveria e vendit ka marrë një numër të madh të masave si mbyllja e shkollave, restoranteve, mbylljen e kufijve tokësor e ajror si masa parandaluese të këtij virusi.

***

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencën për media ka bërë të ditur se Kosovës po i harxhohen rezervat e materialeve shëndetësore.

“Sa i përket Vitisë dhe Klinës, dje jam dëgjuar me kryetarin e Klinës por për shkak të punës deri pas orës 1 nuk ka qenë e mundur të kontaktoj me kryetarin e Vitisë, ne në procedurën që e kemi zhvilluar kemi siguruar material në vlerë 100 mijë euro dhe jemi në fund të rezervave. Ne kemi urdhëruar sot që të gjitha rezervat e materialeve të shpërndahen në Klinë dhe Viti, ne presim që deri të martën dhe mërkurën që procedura e 400 mijë eurove të ndara nga ministria e Shëndetësisë për këtë gjendje.”, tha Vitia.

***

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në një konferencë për media, tha se është shënuar edhe një rast me koronvirus.

"Sic jeni njoftuar sapo janë identifikuar rastet e para, qeveria ka ndërmarrë masa të reja. Sot me keqardhje ju njoftoj edhe për një rast të ri, bëhet për një të afërme të pacientit të fshatit Stubull nga Vitia”, tha ai.

Përndryshe, dje kanë testuar 45 raste.

***

Ka shkuar në tre numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë. Dy rastet e para janë konfirmuar dje.

Media merr vesh se rezultatet kanë dalë pozitive edhe për një familjar të 77-vjeçarit nga Vitia.

Pas pak minutash edhe Ministria e Shëndetësisë do të mbajë konferencë për media, rreth koronavirusit.

Mbrëmë, Qeveria ka marrë vendim që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat Klinë dhe Viti, ku kanë banuar dy personat e infektuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat